E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta e Europës kundër korrupsionit

Njihet nga të gjithë se korrupsioni është një nga faktorët më të dëmshëm që vë në rrezik shtetin e së drejtës, ekonominë dhe zhvillimin demokratik anembanë komunitetit ndërkombëtar sot. Arsyeja është disi e drejtpërdrejtë: korrupsioni i sulmon sistemet nga brenda dhe lehtësohet shpeshherë nga vetë personat, të cilëve u është besuar mundësia për zhdukjen e tij. Korrupsioni është një armik që duhet llogaritur në botën e sotme, por shumë shpesh ka vetëm fjalë të bukura për ta eliminuar atë.

Menaxhimi i çdo faktori që konsiderohet i papranueshëm në një mjedis të caktuar fillon gjithnjë me vendosjen e standardeve për sjelljen e dëshiruar. Në menaxhimin e korrupsionit, zhvillimi i teksteve ligjore ka treguar se është pjesa më e thjeshtë e detyrës. Pa asnjë dyshim, në këtë fushë, performanca e Europës e ka tejkaluar atë të kontinenteve të tjera; konventat europiane të antikorrupsionit shpalosin një sistem standardesh komplekse që duhet të paktën të parandalojnë performancën e akteve kriminale të korrupsionit. Nga ana tjetër, të tjera iniciativa antikorrupsioni, siç janë sigurimi i fondeve transparente për partitë politike dhe fushatat elektorale, nuk janë formuluar ende në një tekst të detyrueshëm ligjor.

Është ende e vërtetë në botën e sotme se implementimi i drejtë i standardeve ndërkombëtare mund të sigurohet vetëm nëpërmjet mekanizmave monitorues të përshtatshëm. Organizata e parë që arriti të krijojë një mekanizëm të tillë është Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD), e ndjekur ngushtë nga Këshilli i Europës me vendosjen e GRECO-s Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit. Edhe pse OKB-ja është rrekur fort të vendosë një mekanizëm monitorimi për Konventën e saj kundër Korrupsionit për disa vjet tashmë, fatkeqësisht duket se tashmë nuk ka ndonjë rezultat të afërt.

Organizata Ndërkombëtare që monitoron implementimin e standardeve të antikorrupsionit me numrin më të lartë të anëtarëve është GRECO, që ka 46 shtete. Deri tani, GRECO ka shqyrtuar masat e antikorrupsionit në shtetet e tij anëtare në lidhje me kuadrin e tyre ligjor, punën e institucioneve të antikorrupsionit dhe posteve publike dhe sistemet e imunitetit dhe aktualisht është i angazhuar në monitorimin e financimit të partive politike. Sivjet GRECO përkujton 10-vjetorin e tij. Në dhjetë vitet e veprimtarisë së tij, aktivitetet e GRECO-s kanë kontribuar në amendimin e disa kushtetutave dhe rregulloreve të tjera, si dhe vendosjen e institucioneve të antikorrupsionit dhe përmirësimin e performancës së tyre.

A është vërtet e mundur të sigurohet një luftë e vërtetë pan-europiane kundër korrupsionit, kur shtetet shpesh vetëm e lajkatojnë këtë betejë? Dikush mund t‘i lejojë vetes një lloj niveli optimizmi këtu, duke qenë se ka pasur një seri rastesh të menaxhuara me sukses në këtë fushë si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në nivel kombëtar. Është bërë gjithashtu praktikë e përbashkët në shumë vende sot të adaptojnë dhe implementojnë strategji të specializuara antikorrupsioni. Megjithatë, në Europë situata nuk është e kënaqshme. Ka një numër disnivelesh mes pesëmbëdhjetë shteteve të para anëtare të Bashkimit Europian (BE) dhe vendeve të tjera europiane, ato më të vonshmit kanë provuar se kanë më shumë vullnet të luftojnë korrupsionin. Niveli i interesit në garantimin e performancës efektive të masave antikorrupsion ende varet vetëm nga forcat e brendshme, kombëtare e politike, ndërsa ato që luftojnë korrupsionin në terren janë të ekspozuar shpesh ndaj kërcënimeve dhe rrezikut serioz.

Duke parë këtë situatë, BE është duke u përpjekur tani të adresojë mangësitë, duke rrezikuar mekanizmat që janë vendosur tashmë dhe duke thyer kështu forcën e një Europe gjeografikisht të gjerë dhe të unifikuar kundër korrupsionit. Kjo e fundit do të ndodhë me shumë siguri, nëse do të mbizotërojnë planet e Komisionit Europian, për krijimin e një tjetër mekanizmi monitorimi, të katërtin në kontinent. Për më tepër, falë influencës të disa shteteve, qëllimi kryesor i të cilave është vetë-promovimi, rrjeti i ardhshëm europian i antikorrupsionit, i cili ka potencialin të shërbejë si një pikë startuese eficiente për një qasje të përbashkët praktike kundër korrupsionit në Europë, mund të rrezikojë të shndërrohet thjesht në një tjetër forum diskutimesh pa vlerë. Ky rrjet, i cili do të mbledhë së bashku organizatat kombëtare që luftojnë korrupsionin në praktikë, do të përdorë standardet e GRECO-s në punën e tij.

Me gjithë përpjekjet e suksesshme të Këshillit të Europës dhe organizatave të ngjashme, Europa përdor fare pak ndonjë potencial tjetër që ka për të reduktuar korrupsionin në shtetet e saj. Megjithatë, derisa Komisioni Europian dhe të gjitha vendet europiane të kuptojnë se korrupsioni brenda secilit prej tyre dëmton më së shumti veten e tyre, por gjithashtu edhe të tjerët, dhe se idealet dhe qëllimet europiane janë në rrezik jo vetëm për shkak të një "Lindje" apo "Jugu" të korruptuar, por kryesisht falë padijes së pashpjegueshme të atyre në fuqi për nevojën e një zhvillimi pan-europian të përbashkët të masave antikorruptive, situata do të mbetet e pandryshuar.

Drago Kos -President i GRECO, Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit, në Këshillin e Europës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›