Moisiu: Të marrë fund manipulimi i zgjedhjeve
Bojkoti i opozitës merr mbështetje edhe nga ish-presidenti Alfred Moisiu. Ish-kreu i shtetit mbështet idenë dhe qëndrimin e kampit më të madh opozitar për të mos hyrë në sallën e Parlamentit. Moisiu pozicionohet kundër çështjes së manipulimit të zgjedhjeve, duke u shprehur se "kjo duhet të marrë fund me hapjen e kutive të kundërshtuara nga opozita". Sipas Moisiut, çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë. "Nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon që të përfundojë njëherë e mirë manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri" u shpreh Moisiu. Lidhur me qëndrimin e opozitës për të hapur kutitë e votimit, ish-presidenti Moisiu u përgjigj: "Nuk ka se si mos të bëhet. Hapja e kutive të votimit do t‘i japë fund procesit të deformimit të votës dhe do të shërbejë për t`i dhënë fund në proceset e tjera zgjedhore manipulimit të votës". Ish-kreu i shtetit kërkoi që të rishihet marrëveshja e kufijve me Greqinë. "Më duket një servilizëm i qeverisë tonë ndaj qeverisë greke. Fakti që ka një reagim në lidhje me këtë çështje, tregon se diçka aty duhet parë", tha ai. Duke iu referuar tekstit të "Historisë 12", Moisiu akuzoi historianët se po bastardojnë në mënyrën më të rrezikshme historinë e shqiptarëve.