E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Pragë, presidentët shkurtojnë distancën

Prej dy ditësh vendin po e viziton Presidenti i Çekisë, shteti me forcë të madhe ekonomike në Europën Qendrore. Dikur, dy shtetet kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë ekonomik, të diktuara nga sistemi politik komunist. Rënia e regjimeve komuniste dhe hapja e kufijve krijoi përshtypjen se bashkëpunimi do të forcohej, por në fakt ndodhi e kundërta. Volumi tregtar mes dy vendeve nuk arrin as 4 miliardë lekë, me një rritje modeste nga njëri vit në tjetrin. Nisur nga situata aktuale, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, theksoi forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Çekisë. Në praninë e bizneseve të dyja vendeve, Topi gjeti rastin t‘u bënte thirrje investitorëve çekë për të parë, ndër të tjera, mundësinë e ngritjes së linjës ajrore Tiranë-Pragë. "Ajo që unë do të kërkoja sërish edhe përpara jush është riaktivizimi i një linje ajrore direkte midis Pragës dhe Tiranës. Sot distancat janë shkurtuar shumë. Sot bota jonë bëhet çdo ditë e më e vogël falë teknologjisë së komunikimit dhe në kohën kur ne diskutojmë për marrëdhënie kaq intensive, unë mendoj që distanca jo më shumë se një orë nga Praga në Tiranë do t‘u jepte mundësi të jashtëzakonshme këtyre shkëmbimeve njerëzore, shkëmbimit mes njerëzve të akademive dhe të universiteteve, të njerëzve të biznesit", deklaroi Topi. Homologu i tij çek, Vaslav Klaus, vlerësoi ecurinë e qëndrueshme ekonomike të vendit tonë dhe shprehu optimizmin për një rritje të bashkëpunimit. Sipas tij, Shqipëria po ecën me hapa të mëdha dhe pozitive. Qëndrimet e dy presidentëve i mbajtën në Forumin Ekonomik Tiranë-Pragë, zhvilluar dje nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Prioritet

Deklaratat e djeshme pasonin takimin e mbajtur dy ditë më parë mes Presidentit Topi dhe atij çek, Klaus, në prani të biznesit. Pala e huaj përfaqësohej me 17 investitorë çekë, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi. "Në kontekstin e këtij takimi, ne mund të themi që dëshirojmë t‘u rikthehemi e të rigjallërojmë marrëdhënie që kanë ekzistuar tradicionalisht edhe në ato vite të vështira, kur ekonomitë tona planifikoheshin nga struktura të shteteve komuniste, ndonëse për hir të së vërtetës, Çekia nga populli shqiptar i izoluar, mendohej si një vend, i cili kishte liri tregu", tha Presidenti Bamir Topi. Investitorët çekë ishin të interesuar kryesisht për fushat e tregtisë, financës dhe energjetikës. Duke parë interesin e madh për të investuar në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Topi, bëri një ekspoze të shkurtër rreth avantazheve që paraqet vendi ynë. "Sot Shqipëria ofron mundësi të jashtëzakonshme, me një tregues shumë të rëndësishëm të rritjes ekonomike dhe që mendon të jetë pjesë e një tregu rajonal, çka do të thotë që biznesmenët çekë mund të konsiderojnë të ardhmen e këtyre marrëdhënieve jo vetëm me biznesin e Shqipërisë, por edhe me të gjithë rajonit, sepse mjaft çështje që kanë të bëjnë, për shembull me energjetikën, janë pjesë e infrastrukturës rajonale dhe shumë elemente të tjera, që e bëjnë botën tonë më të vogël për ta trajtuar në të gjitha termat klasike të globalizmit", u shpreh Presidenti ynë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›