Lufta e Ferizajt kundër pushtimit serb

Në hapje të simpoziumit, nënkryetari i komunës së Ferizajt, Besim Zymberi, ka vënë në dukje se me secilën prej trevave shqiptare, ndërlidhen edhe ngjarje me rëndësi të madhe historike, të cilat u dhanë vrull zhvillimeve dhe i kontribuuan çlirimit.
“Krahas trevave të tjera atdhedashëse, Ferizaj në veçanti ka qenë privilegjuar në pjesën më të madhe të historisë. Ndonëse qytet i ri, qe ngritur mbi themelet e një vendbanimi të vjetër, i cili ka promovuar në mënyrën më të mirë të mundshme idealet e lirisë”, ka thënë Zymberi.
Ideatori i këtij simpoziumi, prof.dr.Liman Rushiti, ka thënë se Ferizaj mund të mburret me të bëmat patriotike, marrë parasysh faktin se njerëzit e tij luajtën rol kyç në çështjen kombëtare.
“Ferizaj, një qytet i ri, i vitit 1874, në të cilin atëbotë u ndërtua hekurudha, kujtohet me përkrahjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me luftërat e Carralevës, Koshares, Slivovës, kryengritjen e 23 tetorit të vitit 1912 e një varg ngjarjesh të tjera të pasuara deri në luftën e UÇK-së, duke e flakur kështu në forma të ndryshme okupatorin”, ka thënë Rushiti, teksa ka përmbledhur fakte nga lufta e zhvilluar në Sazli mes shqiptarëve kryengritës dhe ushtarëve regjimentit serb të Moravës, të prirë nga gjenerali Nediq, ndërsa ka sjell edhe citate nga shkrimet e shtypit të kohës, të cilat argumentonin terrorin serb mbi shqiptarët.
“Dy pavarësitë shqiptare" ka mbajtur emrin tema e trajtuar nga Dr.Jakup Krasniqi, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës u rikujtoi pjesëmarrësve etapat historike, nëpër të cilat kaluan Shqipëria dhe Kosova deri në realizimin e idealeve liridashëse, ndonëse me shumë sfida. Krasniqi ka folur mbi copëtimin e trojeve shqiptare që ngjanë asokohe, duke lindur një "Shqipëri londineze" dhe për padrejtësitë tjera që u janë bërë shqiptarëve.
"Nuk ka dyshim se në kohë Evropa ishte në krizë që solli Luftën e Parë Botërore dhe kjo krizë krijoj çështjen e Kosovës, e cila për 96 vjet ishte vatër e hapur e luftërave dhe e ngatërresave të ndryshme", ka thënë Krasniqi.
Ndërsa akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë së Shqipërisë shpalosi një pasqyrë historike për rrugëtimet e pavarësive të dy shteteve. “Kosova ka pasur një rol parësor në rrugëtimin e Pavarësisë së Shqipërisë. Jo rastësisht, në këtë trevë kanë ndodhur ngjarje madhore”, ka thënë Meta.
Në këtë simpozium janë paraqitur dhjetëra studius të historisë, të cilët nga këndvështrime të ndryshme trajtuan aspekte të kësaj etape historike.
Simpoziumi shkencor "Rezistenca e shqiptarëve të Ferizajt kundër pushtimit serb, tetor 1912" u mbajt në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.