Ministri serb nuk pranon gjenocidin ndaj shqiptarëve
Kreu i diplomacisë serbe, Ivan Mrkic, ndonëse u përpoq të sillte një frymë miqësi në marrëdhëniet e dy vendeve, nuk pranoi të ketë ndodhur gjenocid ndaj shqiptarëve.
Por ndonëse kjo situatë duhet të vinte në vështirësi ministrin serb, ishte Panariti që kërkoi mbylljen e konferencës sa më shpejt me argumentin se, “kemi agjendë të ngjeshur”.
“Tani duhet të kapërcejmë pengesat e historisë. Si qeveri e re e Serbisë jemi të vendosur që të zhvillojmë lidhje të forta me Shqipërisë dhe të gjejmë pikat që na bashkojnë. Ndonëse e dimë që kemi pika fondamentale që nuk përputhen por nëse zgjedhim të kemi bashkëpunim atëherë mendoj se mund të gjejmë pika të përbashkëta edhe për problemet e tjera. Ky është qëllim i sinqertë”, u shpreh Mrkic.
Panariti nga ana tjetër i konsideroi problemet mes Serbisë dhe Kosovës, si probleme të dy shteteve sovrane, u shpreh nga ana tjetër se në fund të dialogut Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovë duke e konsideruar këtë hap si shkëputje nga e kaluara e gjenocidit.
"Çështjet e Kosovë dhe Serbisë i konsiderojmë si çështje të dy vendeve sovrane", tha Panariti. “Në përfundim të procesit të dialogut, ne do të mirëpresim njohjen e Kosovës nga Serbia. Kjo do të ishte një vullnet i shkëputjes nga e kaluara e dhunës, e represionit dhe gjenocidit nga regjimi i Millosheviçit”, tha shtoi ai.
Homologu i tij serb, nuk shprehu pendesë për të kaluarën por tha le t’ia lëmë në dorë historisë të gjykojnë nëse ajo që ka ndodhur ka qenë apo jo gjenocid.
"Kemi interpretime të ndryshme për historinë prandaj duhet sa më pak t'i referohemi kësaj periudhe. T’ua lëmë historianëve këtë, kurse ne si qeveri dhe politikanë të vëmë në plan të parë gjithçka që na takon dhe të mos lënë që të përsëriten gjerat”, u shpreh Mrkic.
Ministri serb gjithashtu pranoi se kishte pasur takime me përfaqësues të minoritetit serb në Shqipëri, kurse për minoritetin shqiptar në Serbi, Panariti u mjaftua me fjalët se, “kemi kërkuar që të ndalet dhuna ndaj tyre”.
Berisha: Miqësi me Serbinë mbi interesa reciproke
Ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkic, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Mrkic ka thënë se dy kombet kanë jetuar pranë njëri–tjetrit ndër shekuj dhe do të ishte në interesin më të mirë të marrëdhënieve dypalëshe që raportet bilaterale të bazohen në pjesën më të mirë të marrëdhënieve shumë shekullore.
Ai ka pranuar se vërtet ekzistojnë dallime në marrëdhëniet dypalëshe por këto marrëdhënie në të ardhmen duhet të bazohen në qëllimet e mira të përbashkëta, pavarësisht tyre.
Në anën tjetër, kryeministri Berisha ka thënë se qeveria shqiptare ka dhënë gjithmonë mesazhin e qartë të bashkëpunimit dypalësh. Kryeministri ka pohuar se qeveria shqiptare është e interesuar për një kapitull të ri marrëdhëniesh pozitive mes dy vendeve dhe se një zhvillim i tillë është edhe në interes të rajonit dhe të qëllimit të përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Berisha, gjithashtu, ka theksuar se e ardhmja e këtyre marrëdhënieve duhet të jetë ajo e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok si në edukim, kulturë, turizëm, ekonomi etj.
Në këtë kuadër Kryeministri vlerësoi se përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore lehtëson shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore etj. Kështu ndërtimi i autostradës Nish – Merdarë dhe i një hekurudhe që lidh portet e Shqipërisë me Evropën qendrore do të krijojnë hapësirat të mëdha bashkëpunimi në të ardhmen.
Të dy bashkëbiseduesit u shprehën për nevojën për të rikapur shanset e humbura në të shkuarën dhe se në këtë kuadër është me rëndësi zhvillimi i takimeve në kuadrin e një komiteti ndërqeveritar, i cili do të identifikojë fushat me interes dypalësh.