E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e butë

Mediat amerikane e përshkruan Presidenten e Kosovës si një politikane që flet butë. E tillë Atifete Jahjaga po shfaqet edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas kthimit nga Amerika, Presidentja tha se për këtë betejë mjafton formimi i një këshilli që ka vetëm rol koordinues dhe këshillëdhënës.

Vetëm pak minuta pasi ka arritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentja Atifete Jahjaga ka përsëritur zotimin se do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në konferencën për media në Aeroportin e Prishtinës, Jahjaga ka thënë se shumë shpejt do të formojë Këshillin Antikorrupsion.

Por kur ka shpjeguar natyrën e këtij mekanizmi, Presidentja ka lënë për të dëshiruar.

Sipas shpjegimeve të Presidentes, ky trup do të ketë rol të limituar në betejën kundër korrupsionit që ajo e ka proklamuar tash e sa ditë.

“Ky trup është kryesisht koordinues dhe këshillëdhënës. Është në kompetencat e mia kushtetuese që të kemi harmonizimin e politikave që janë në interes të vendit”, ka thënë Jahjaga, derisa ka bërë të ditur se këtë këshill do të themelojë menjëherë.

Tashmë dihet se iniciativa e Presidentes për krijimin e organeve, të cilat do të duhej të luftonin korrupsionin, nuk është e para në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pati themeluar Task Forcën Speciale kundër korrupsionit, e cila ende është në funksion, por vendi nuk ka bërë ndonjë progres në luftimin e dukurive negative.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, Kosovës i përshkruhet shpesh në raporte të ndryshme ndërkombëtare deri sa edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi nga Kryeministri Thaçi të hënën që në këtë drejtim të bëhet më shumë.

Por Presidentja e vendit thotë se do të jetë e përkushtuar duke shprehur edhe bindjen se Kosova mund të fitojë këtë betejë.

“Jam shumë e përkushtuar që ta fitojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh Jahjaga.

Sipas saj, kjo mund të arrihet vetëm nëse ka një mobilizim të mirëfilltë përbrenda strukturave të vendit.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se në Këshill do të përfshihen institucione të tjera përkatëse, për të cilat tha se nuk do t’iu preket pavarësia institucionale.

“Të gjitha ato institucione që janë pjesë, që marrin pjesë në këtë këshill, do ta ruajnë pavarësinë e tyre institucionale përbrenda këtij këshilli”, tha Presidentja e Shtetit.

Ajo ka thënë se është e domosdoshme që në luftën kundër korrupsionit të aplikohen praktikat e shteteve, të cilat kanë kaluar nëpër faza të ngjashme.

Ndërkohe që ka bërë të ditur se tashmë ka marrë mbështetjen e SHBA’së për iniciativën e saj.

“Unë mora mbështetje konkrete në luftimin e këtyre dukurive”, tha Presidentja.

Duke folur për vizitën në Amerikë, të cilën e cilësoi si tejet të suksesshme, Jahjaga tha se ka marrë përkrahje pothuajse për të gjitha çështjet e diskutuara.

“Kosova tanimë nuk shihet vetëm si një shtet që ka nevojë për ndihmë, por si një vend që mund të kontribuojë fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare”, bëri të ditur Jahjaga.

Ndryshe, gjatë vizitës së saj dhjetëditore në SHBA, e para e Shtetit u takua me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me Nënsekretaren Amerikane të Mbrojtjes, Michele Flournoy, me Kryeprokurorin e SHBA’ve, Eric Holder, me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Mueller, si dhe me senatorët Mark Kirk dhe Ross Johnson.

Ndërkohë që u takua edhe me ish-Sekretaren amerikane, Madeleine Albright, si dhe me një varg personalitetesh të njohura.

Jahjaga ka mbajtur edhe dy ligjërata në dy universitete të njohura amerikane.

Pavarësisht se ka pasur takime të shumta në administratën amerikane numri një i shtetit të Kosovës nuk ka pasur takim me Presidentin e SHBA’ve Barack Obama.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›