E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është përballur me replika të shumta në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës së sotme të Kuvendi të Kosovës, në shqyrtimin e Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Kundërshtime për këtë projektligj që në fillim kanë ardhur nga grupet parlamentare opozitare, por ka pasur zëra edhe nga koalicioni qeverisës, sikur që ishte deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili në emër të Komisionit parlamentar për bujqësi, pylltari dhe mjedis e planifikim hapësinor, ka kërkuar që këtij projektligji t’i ndërrohet karakteri politik.

Por pas votimit, me 56 vota për, 42 kundër dhe 2 abstenime, deputetët i dhanë “dritën jeshile” këtij ligji.

Përderisa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka shprehur qëndrimin e grupit parlamentar në mbështetje të këtij projektligji, grupet tjera parlamentare kanë shprehur kundërshtimin, duke e cilësuar atë si diskriminues.

Në emër të LDK-së, deputeti Sali Morina ka thënë se meqenëse ky ligj nuk ka pësuar asnjë ndryshim prej herës së parë kur është kundërshtuar në Kuvend, LDK-ja nuk do ta votojë këtë ligj, ndërkohë ka kërkuar kthimin prapa të projektligjit tek Qeveria.

Ndërkaq, Liburn Aliu në emër të Vetëvendosjes, ka thënë se projektligji është antikushtetues dhe krijon ndarje etnike.

“Ky projektligj është në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Ju them që ky është në kundërshtim edhe me vlerat dhe ligje te vendeve prej nga ata vijnë dhe nuk kanë të drejtë të na imponojnë neve. Urdhëroni bëni në vendet tuaja, por jo të na impononi neve”, ka thënë Aliu, duke iu drejtuar edhe mysafirëve ndërkombëtarë në sallë.

Ndërkaq, shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini, duke shfrytëzuar edhe deklarimin e deputetit të PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se AAK-ja nuk është parti që voton politikat e Qeverisë, edhe atëherë kur ato nuk mbështeten nga vetë deputetët e koalicionit.

“AAK-ja nuk është e gatshme të mbështes politika qeveritare, të cilat nuk janë të gatshme t’i mbështesin as vetë deputetët e koalicionit. Por ne kërkojmë që të dalë vetë propozuesi i ligjit dhe të thotë, jo pse i thonë ndërkombëtrët apo Pakoja e Ahtisarit, por të thotë se është ligj i mirë”, ka thënë Gjini.

Kryeministri Thaçi ndërkohë ka këmbëngulur se ligji është i bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e presidentit Ahtisarit, përderisa u ka rikujtuar deputetëve të LDK-së dhe AAK-së se edhe ta kanë qenë pjesë e ndërtimit të Kosovës mbi Pakon e Ahtisarit, duke qenë pjesë edhe e negociatave në Vjenë, kurse për Vetëvendosjen ka thënë se me hyrjen në Kuvend e ka njohur dokumentin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës, andaj tani e ka për obligim t’i respektojë.

“Ky projektligj është obligim kushtetues dhe ligjor dhe jo presion ndërkombëtar. Gjithë ajo që kërkoj është që të votoni për ose kundër, por së paku mos thirrni për urrejtje ndërqytetare dhe mos mbillni frikë. Nuk rrezikohet Kosova duke respektuar të drejtat e komuniteteve. Nuk rrezikohet Kosova nga objektet e kultit. Mos shitni patriotizëm falso. Deficitet e së kaluarës nuk mund t’ua mbulojmë sot. Nuk është koha e fushatës elektorale”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, edhe deputeti tjetër i PDK-së Hydajet Hyseni ka shprehur qëndrimin e tij kundër këtij projektligji, duke thënë se në Pakon e Ahtisarit, e cila, sipas tij është e mangët, nuk është kërkuar që të ketë ligj të veçantë për Qendrën Historike të Prizrenit. Edhe deputeti tjetër i koalicionit, Muhamet Mustafa nga KKR-ja, ka kërkuar që ligji të përmirësohet.

Ndryshe, Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit është kthyer edhe më herët në Qeveri për t’u përmirësuar, mirëpo ligjvënësit kanë konstatuar se nuk është bërë asnjë ndryshim në këtë projektligj, andaj kanë kundërshtuar sjelljen e tij nga ana e Qeverisë në Kuvend.

Debati i nxehtë në Kuvendin e Kosovës vazhdoi për tërë kohën për këtë çështje, ndërkaq qëndrimet vazhduan të jenë të njëjta, ndërmjet deputetëve dhe Qeverisë. Derisa deputetët, sidomos ata opozitarë e quanin antikushtetues këtë projektligj, kryeministri Thaçi theksoi se ky është një obligim që del nga Kushtetuta, ligjet e Kosovës dhe Pakoja e Ahtisarit, të cilën e kanë mbështetur edhe dy subjektet politike opozitare, LDK e AAK. Pas hudhjes në votim, me 56 vota për, 42 kundër dhe 2 abstenime, deputetët i thanë “po” Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›