E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja është hartuar në bashkëpunim me gazetarët

Pas reagimeve të sotme të mediave lidhur me zbatimin e Rregullores për qasjen e mediave në Kuvend, Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës përmes një sqarimi ka treguar se kjo rregullore është hartuar në bashkëpunim me OSBE-në dhe NDI-në, si dhe me pjesëmarrjen aktive edhe të gazetarëve, të xhiruesve e të fotoreporterëve, të akredituar në Kuvend.

Më tutje sqarohet se në funksion të kësaj rregulloreje janë organizuar edhe dy vizita studimore në Slloveni dhe në Bullgari për punonjësit e Zyrës për media dhe përfaqësuesit e mediave të akredituar në Kuvend, për të parë praktikat e këtyre parlamenteve për qasjen e mediave dhe të publikut në ndërtesat e tyre.

“Përfundimisht, më 19 prill të këtij viti, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, pas shqyrtimit dhe plotësimit të saj e ka miratuar Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit të Kosovës. Rregullorja atë kohë u është shpërndarë përfaqësuesve të mediave vendëse dhe ndërkombëtare, të akredituar në Kosovë. Kjo rregullore ka filluar të zbatohet nga seanca e 10 dhjetorit, 2011”, thuhet në sqarimin e Kuvendit të Kosovës.

Në seancën e sotme kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka njoftuar deputetët për fillimin e zbatimit të kësaj rregulloreje. Ai ka theksuar se ka parë se si funksionojnë mediat në parlamentet e shumë vendeve që ka vizituar.

“Edhe në Kuvendin tonë, sikurse në çdo Kuvend, mediat e kanë hapësirën e tyre të mjaftueshme për të kryer detyrat e tyre profesionale”, u ka pohuar Krasniqi deputetëve.

Si çdo rregullore tjetër e Kuvendit dhe e mekanizmave të saj, edhe Rregullorja për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit të Kosovës do t’i shtrohet shqyrtimit të funksionalitetit të saj. Pas një kohe ajo mund të plotësohet dhe të ndryshohet. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›