Frika e botës nga Pheniani

Dukej se Kim Jong Il ishte këndellur në tërësi, nga goditja në zemër, të cilën e pësoi në vitin 2008. I shëndoshë dhe i fuqishëm, ai inspektonte këndet e ndryshme në perandorinë e tij, ndërsa në vitin 2010 e vizitoi edhe Kinën. Por tani, ai ndërmori udhëtimin e tij të fundit: duke udhëtuar të shtunën me tren nëpër Korenë e Veriut, ai vdiq si pasojë e infarktit.
Vdekja e tij e zhyt rajonin në nervozë. Pekini, Tokio dhe Seuli duket se ishin të befasuar nga lajmi për vdekjen e tij. Jug-koreanët parullat në kufi dhe detyruan zyrtarët shtetërorë që të anulojnë pushimet. Këshilli i Japonisë për Siguri mbajti një seancë të jashtëzakonshme. “Dëshirojmë të shpresojmë se ky zhvillim i papritur nuk do të ketë pasoja negative për paqën dhe stabilitetin në Gadishullin e Koresë”, deklaroi Osamu Fujimura, sekretar i kabinetit të Japonisë. Tokio do të jetë i përgatitur për çdo eventualitet, paralajmëroi ministri i Financave, Jun Azumi.
Sa herë që vdes ndonjë udhëheqës komunist, bota humb paksa baraspeshën, pasi që është e paqartë se a do të jetë regjimi në gjendje që të rregullojë trashëgiminë në mënyrë paqësore. Pas vdekjes së Kimit, tani edhe funksionarët dhe ushtarakët veri-koreanë do të jenë të detyruar të mbushin vakuumin e pushtetit.
Nuk përjashtohet mundësia që në radhët e qarkut të brendshëm të Kimit të shpërthejnë luftërat për pushtet dhe privilegje, e nuk përjashtohet as mundësia e thyerjeve brenda ushtrisë-si për shembull në lidhje me atë se sa duhet të lëshojë Pheniani pe kundrejt SHBA-së, në negociatat për programin bërthamor të vendit.
Një gjë është e sigurt: kryesisë së re, nën udhëheqjen e Kim Jong Unit, do t’i nevojitet kohë për t’u forcuar.
Për këtë arsye politikanët në rajon frikësohen se në këso kohëra të pasigurta elita kryesuese në Phenian mund të bëjë përpjekje që dobësinë në fushën e politikës së brendshme ta mbulojë me agresivitet në fushën e politikës së jashtme, për të rreshtuar kështu popullin prapa vetës. Kërcënimet dhe provokimet e përgjakshme edhe ashtu janë pjesë përbërëse e elitës në Phenian.
“Brenga jonë kryesore tani është se Koreja e Veriut mund të bëjë provokime shtesë”, pat deklaruar qysh në qershor komandanti i forcave amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut, James Thurman, duke folur para senatit amerikan për atë se çfarë mund të ndodhë, pas vdekjes së Kim Jong Ilit.
Mbetet i paharruar sulmi me torpedo (përgjegjësinë për të cilin Koreja e Veriut e ka mohuar) kundër anijes jug-koreane, Cheonan, në mars të vitit 2010, me ç’rast u vranë 48 marinarë, si dhe sulmi me artileri i ndërmarrë disa javë më vonë kundër ishullit Yeonpyeong, si pasojë e të cilit humbën jetën katër persona.
Por ka gjithashtu gjasa që rajoni të qetësohet. Gjatë muajve të kaluar regjimi i Kimit kishte sinjalizuar se do të mund të rikthehej në negociatat gjashtë-paleshe në Pekin, të cilat kanë për qëllim që ta “pastrojnë” Gadishullin e Koresë nga armët bërthamore.
Në shkëmbim, bashkësia ndërkombëtare i ka premtuar Phenianit naftë dhe ushqim.
Kim Jung Uni pa përvojë dhe femrat dhe meshkujt e moshuar përreth tij duhet të sigurohen tani që të forcojnë besimin e popullatës për udhëheqësin e ri. Tani zyrtarëve në Phenian, në këto kohëra të vështira, i nevojitet stabiliteti i brendshëm.
“Ajo që është ironike është se vdekja e Kim Jong Ilit mund të qetësojë Korenë e Veriut së paku për një vit”, spekulojnë ekspertët Peter Hayes, Scott Bruce dhe David Von Hipel, nga Instituti Nautilus në Washington.
Një rol vendimtar këtu mund të luaj Kina, e cila ka interesa të fuqishme ekonomike në shtetin fqinjë, pasi që shfrytëzon thëngjillin dhe pasuritë tjera natyrore të Koresë së Veriut.
Pekini nuk është i interesuar që të shoh shembjen e Koresë së Veriut, ngase lufta e mundshme qytetare do të rrezikonte zhvillimin ekonomik të pjesëve veri-lindore të Kinës. Për këtë arsye duket se pushteti në Pekin e mbështetë dinastinë Kim.
Në anën tjetër, Kina gjithashtu shpreson se Kimi i ri, për dallim nga i ati i tij, një ditë do të reformojë ekonominë në gjendje të mjerë të Koresë së Veriut.