E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e re e Europës së Vjetër

Spiro Butka/Ish-Oficer në UÇK-së

-Trajtimi i UÇK-ës dhe luftëtarëve të saj si delja e zezë nga kjo Europë, nuk ka të sosur. Këto ditë mediat e shtypit dhe ato elektronike, lajmëruan se u arrestuan Sami Lushtaku, Sulejman Selimi e disa të tjerë komandant e luftëtarë, me pretendimin e EULEX-it, se gjatë luftës, kanë burgosur, izoluar e keqtrajtuar njerëz të pafajshëm. Po i afrohemi gradualisht 15 vjetorit të përfundimit të asaj lufte madhore, dhe akoma kjo Europë e pangopur ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, jo vetëm që nuk po ndalet e nuk heq dorë, por përkundrazi, po i shpeshton veprimet antishqiptare, duke vënë shenjën e barazimit midis viktimës dhe kriminelit.

Këto ndërhyrje aventureske të EULEX-it, janë e mbeten në kuadër të veprimeve antishqiptare, për të penguar politikën botërore për zgjidhjen përfundimtare të aspiratave kombëtare të shqiptarëve të kudo ndodhur. Sa herë që del në sipërfaqe ndonjë diskutim, propozim apo zgjidhje në interes të shqiptarëve, Beogradi i paraprin dhe nëpërmjet Europës plakë të mbuluar sot me vellon e demokracisë, ndërhyn ashtu si vjedhurazi në zhvillimet politike botërore dhe pengon si pa dashur ecurinë e dy shteteve shqiptare, për realizimin e misionit historik të përbashkët kombëtar. Si dje në luftë e sot në paqe, janë po këta evropianë që nëpërmjet EULEX-it, ata që bashkëpunojnë ngushtë me Beogradin, për të realizuar gradualisht interesat të Serbisë madhe e nacionaliste.

Kjo vërtetohet më së miri në ditët e sotme, kur po zhvillohen bisedimet dypalëshe, Kosovë–Serbi nën mbikëqyrjen e Europës së Bashkuar. Gatishmëria e qeverisë së Kosovës, edhe pse kryeministri aktual Hashim Thaçi, po sulmohet kohë pas kohe nga pasuesit e gandistit rugovian, është dhe mbetet në stadet politike të Shqiptarisë, brenda së cilës në mënyrë graduale, do të gjejnë zgjidhjen konkrete aspiratat e gjithë shqiptarëve. Arrestimet e fundit të EULEX-it të kryera kundër drejtuesve të UÇK-ës, janë dhe mbeten brenda vazhdimësisë politike të Europës së vjetër, asaj të luftës dhe të kësaj në pas luftë, ku qëndrimi në të gjitha rastet është pa asnjë ndryshim, sepse pikënisja e kësaj ndërhyrje nuk ka asnjë dallim nga prapavijat e errëta, që janë ngritur kundër këtyre drejtuesve të UÇK-së.

Ishte kjo Europë, ajo që luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, të Shqipërisë Veriore, e etiketoi si konflikt etnik. Ishte po kjo Europë, që luftëtarët e UÇK-ës i akuzoi si kamikazë e terroristë, në mënyrë që t’u paraprinte ditëve të sotme për arrestimin e drejtuesve të saj. EULEX-i i Europës plakë dhe të re, është kthyer në një çiban,i cili duhet operuar menjëherë, sepse mahisja e tij, mund të shkaktojë trazira të pariparueshme për vetë Europën që po luan me zjarrin që ka ndezur 100 vite më parë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. OKB-ja u tërhoq ashtu si pa u ndjerë nga Kosova dhe i takon këtij organizmi ndërkombëtar, që të mbyllë këtë plagë, në të kundërt Kuvendi i Kosovës, si në rastin e shpalljes të pavarësisë, të vetëvendosjes duhet të nxjerrë jashtë ligjit veprimtarinë e këtij EULEX-i enigmatik.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›