E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Turizmit në pritje të Kolombit Pirro Naçi

Pirro Naçi/ Specialist Turizmi

-Raporti vjetor i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar (WEF) në vitin 2013, për konkurrencën në zhvillimin të sektorit të Turizmit, na rendit ndër të fundit në Europë dhe të 77-t në shkallë botërore, në 140 shtetet e krahasuara. Madje e krahasuar me vitin 2011, jemi ngritur 6 shkallë më lart. Të 71-n vend zinim në 2011, të 77-n në 2013. Brenda këtyre 2×4 viteve të fundit shumë u fol për turizmin, shumë programe u hartuan, shumë vendime u morën, por faktet flasin më shumë se këto. Aktinografia e bërë nga WEF për sektorin e turizmit na ka vlerësuar të fundit në Europë. Raporti i konkurrencës “Travel &Tourism 2013” vlerëson 140 ekonomitë e vendeve të botës të bazuara në masën me të cilën janë vendosur në vend faktorët dhe politikat për ta bërë atë tërheqës për zhvillimin e turizmit. Politikat që janë zbatuar për zhvillimin e turizmit, ligjet dhe rregulloret, ndërgjegjësimi dhe marketingu, zhvillimi i produktit, investimet në zonat natyrore për të forcuar sektorin e turizmit, investimet në kulturë në dobi të turizmit, infrastruktura, klima e biznesit, menaxhimi i informacionit, mbrojtja dhe siguria, janë faktorë nga më kryesorët për t’u klasifikuar në shkallë botërore. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 884 më datë 11/06/2008 u miratua Strategjia Sektoriale e Turizmit 2007- 2013.

Kush e ka lexuar, apo studiuar atë në 2008, mund të kishte mjaft mendime, kritika apo edhe sugjerime. Por tani jemi në 2013, dhe “Strategjisë” i erdhi fundi. Nuk është vendi këtu për të bërë një analizë të hollësishme të këtij programi. Por megjithatë le të ndalemi pak në disa nga faktet e realizimit të saj. Synimi për 2013-n për vizitorët që do të udhëtonin drejt Shqipërisë ishte në 3.600 000 vizitorë. 4.763 000 vizitorë të huaj publikon Ministria e Turizmit për vitin 2012. Pothuajse 30% jashtë objektivit dhe po t’i shtojmë këtu edhe një vit më parë nga synimi i 2013 kuptojmë se me sa seriozitet është hartuar strategjia e shifrave për turistët e huaj. Le të marrim edhe një fakt tjetër nga “strategjia” e Turizmit për ta bërë më konkret 2007-2013. Kalibrimi i standardeve ndërkombëtare të turizmit, ishte pikësynimi për ta bërë Shqipërinë të konkurronte në nivelet më të larta dhe cilësore. Një nga mekanizmat më të volitshëm për të inkurajuar këtë është promocioni aktiv nga Qeveria dhe nga sektori privat, për të aderuar në standardet ndërkombëtare: sistemi ndërkombëtar i “yjeve”, për klasifikimin e hoteleve, certifikata “Blue Flag –Flamuri Blu”, për plazhet tona të mahnitshme, Globi i Gjelbër 21, etj, etj.. Po ku jemi me këto pikësynime? Në kuotën 0.

Tre vjet më parë në një shkrim të botuar në shtypin qendror shprehja shqetësimin, mendimin dhe dëshirën që çelja e sezonit turistik të simbolizohej me vendosjen e të parit “Blue Flag” në një nga plazhet tona shumë të bukur që disponojmë. Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë çelje të sezonit turistik me mitingje dhe aktivitete që ngjajnë me fushatë zgjedhjesh. Certifikimi i plazheve tona me parametrat ndërkombëtare do të jetë mesazhi më i mirë për turizmin shqiptar. Por dëshira ime në 2011, nuk u realizua as në 2012, madje as në 2013 dhe asnjë kërkesë e tillë në organizatën ndërkombëtare të (FEE), për plazhet tona. Jemi i vetmi vend në Europë që ende, jo vetëm nuk kemi një certifikim të tillë për plazhet tona, që nuk kanë asnjë ndryshim nga ato të fqinjëve tanë. Madje në Europë, këtë flamur e kanë marrë, ose e kanë kërkuar edhe shtete të cilat nuk kanë aq sipërfaqe det sa ne, madje që nuk kanë fare det. Po ndalemi edhe në një fakt tjetër dhe mjaft të rëndësishëm: “Investimet në kulturë si shtysë për zhvillimin e turizmit, objektiv i strategjisë”. Shumë është folur për objektet tona historikë, muzeumet, qytetet antike, mesjetare, objektet e pafundme me vlera të mëdha, jo vetëm me karakter kombëtar, por edhe më gjerë.

Nga të dhënat e Ministrisë së Turizmit në vitin 2012, vetëm 2,8% e të gjithë vizitorëve të huaj i kanë frekuentuar këto qendra. Dhe po të marrim në mënyrë të veçantë njërin nga vendet më të vizituar në shkallë kombëtare, që zë vendin e parë, qytetin antik të Butrintit, atë e kanë vizituar vetëm 1,1% të huaj për 2012. Po kështu rrënojat e qytetit të vjetër të Sarandës ndodhen në një nga pikat më të bukura nga këndvështrimi turistik, por këto vitet e fundit s’u bë qameti për 5 metra shirit inaugurimi dhe pothuajse 1km rrugë për t’ia rritur vlerat qytetit turistik. I përmenda këto fakte për të mos qëndruar në analiza, në kritika, në ide dhe mendime, sesi mund të bëhej më mirë në këtë drejtim. Po të shikosh faqen zyrtare të Ministrisë së Turizmit për të kuptuar se ku jemi në këtë drejtim. Përveç një pyetësori, të njëjtat gjëra që kishte në vitin 2012, të njëjtat në 2011, në 2010, e kështu me radhë. Slogani i Strategjisë së Turizmit 8 vite më parë ishte “Shqipëria, juaja për t’u zbuluar” dhe jo pak ditë më parë, nga Drejtoria e Turizmit, dëgjoj një slogan të ri: “Zbulo Shqipërinë”. Zbulo, zbulo, zbulo... Në Ministrinë e Turizmit në strategjinë e re më duket se presin Kristofor Kolombin.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›