E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta kundër arteriosklerozës

Quhet Murri Opatoski, është 84 vjeç dhe historia e tij është publikuar te "Journal of American College of Cardiology" (gazeta e Fakultetit Amerikan të Kardiologjisë), sepse ai është dëshmitari i ri i një suksesi, i cili ka mundur të eksperimentojë në trupin e tij të gjitha risitë që terapitë kardiovaskulare mund të ofrojnë. Historia e Murrit fillon në vitin 1969, kur u shtrua në Klivilend, për shkak të një dhimbjeje konstante të mërzitshme në kraharor, e cila nuk ndryshonte edhe kur kryente lëvizje të ndryshme trupore. Në Klivilend, Murri takoi doktor Mason Sones (Meson Sunis), njeriu që ka zbuluar koronografinë. Një ekzaminim i detajuar i trupit tregoi se Opatoski kishte bllokuar dy arteriet koronare, venat që çojnë gjakun dhe oksigjenin në zemër. Sot do të mjaftonte një by pass, por në 1969-ën kjo metodë as që njihej. Atëherë, kardiokirurgu nga Klivilend, Arthur Vineberg, provoi te Murri një ndërhyrje kirurgjikale eksperiment, duke bërë një lloj devijimi të dy arterieve që janë të destinuara ta çojnë gjakun drejt zemrës përmes krahëve. Gjithçka shkoi mirë. Deri në 2006-ën Murri Opatoski gëzonte shëndet të mirë, por më pas gjërat nuk po shkonin ashtu siç duhej dhe ai u rikthye në Klivilend. Sot, falë një teknike të re, ekografisë transtorakike dhe skanerit, mjekët mund të dallojnë gjëegjëzën anatomike të ndërtuar nga duart e Vineberg. Gjithashtu një "eco-doppler" i venave mbi aortën zbuloi një droçkë gjaku (kokrrizë gjaku e mpiksur) që bllokonte krejtësisht një prej dy arterieve karotide, e cila furnizon me gjak trurin e njeriut. Kardiokirurgët iu futën menjëherë punës dhe me një ndërhyrje kirurgjikale futën pllakën arteriosklerotike në muret e venës dhe vendosën një tub të hollë për të mbajtur të hapur arterien. Në këtë mënyrë gjaku kalon rregullisht.

Zoti Opatoski ka arritur gjithmonë të shpëtojë, sepse sëmundja e tij ka ecur pothuajse në një hap me zbulimin e shumë teknikave kirurgjikale dhe diagnostikuese, ato që në pak dekada kanë arritur të zgjasin rreth 5-6 vjet jetën e pacientëve të prekur nga patologjitë kardiovaskulare. Kjo padyshim është një arritje në mjekësi. Por pas 30 vitesh të suksesshme, tani gjërat nuk po funksionojnë dhe aq mirë. Shkencëtarët kthehen nga kongreset ndërkombëtare me duar në xhepa dhe turinj të varur: nuk ka asgjë të re, thonë duke shfryrë. Rezultatet zhgënjyese të studimeve të fundit klinike ndërkombëtare tregojnë se si shpesh ilaçet më moderne kanë efekte anësore, ose janë të padobishme dhe mes kardiologëve qarkullon bindja se kanë prekur fundin e se kardiologjia ka dhënë gjithçka ishte e mundur. Gjithsesi, njerëz të sëmurë ka pafund dhe sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes për vdekjen e tyre. Ja si shprehet një kardiolog gjerman, i cili është drejtor i një Qendre Kardiologjie në Gjermani.

Profesor, pse kardiologët nuk arrijnë të bëjnë hapa të tjerë përpara?

Kërkimet duhet të spostohen në drejtime të tjera. Motivi kryesor i gjendjes aktuale të krijuar është se kjo shkencë ka bërë një rrugë të shkëlqyer në dhjetë vitet e fundit. Mjafton të marrësh si shembull rastin e infarktit miokardiak akut: në vitet ‘60 vdekshmëria ishte rreth 50 për qind, përfshi këtu edhe pacientët që vdisnin gjatë rrugës për në spital. Sot vdekshmëria nga infarkti akut është ulur në 10 për qind.

Pra, kjo është kronika e sukseseve. Mos ndoshta kjo çështje po çalon nga suksesi i tepërt?

Duhet të marrim në konsideratë një element të dytë: nuk ka të dhëna domethënëse mbi arsyet e vërteta që të çojnë drejt infarktit, ndaj nuk mund të zbulohen dot pasojat. Ne jemi në dijeni se infarkti miokardiak akut shkaktohet nga një droçkë gjaku që formohet papritur, por askush nuk e di ende se përse ndodh kjo? Tromboza akute, që ende sot shfaqet në 20 për qind të rasteve me vdekjen e papritur, në veçanti, mbetet një fenomen ende i paparashikueshëm. Me pak fjalë nuk e dimë pse formohen droçkat e gjakut.

A nuk është arterioskleroza shkaku?

Thjesht arterioskleroza, pra ngurtësimi i arterieve, nuk mjafton për të shpjeguar gjithçka. Ky shkak është shumë i shpeshtë, por ka persona që edhe pse vuajnë nga arterioskleroza nuk kanë ndonjë problem kardiak, ndërkohë që disa të tjerëve u ndodh që të pësojnë një herë në jetë një infarkt dhe më pas të mos kenë më probleme të tjera, apo të tjerë akoma që pësojnë kriza kardiake të vazhdueshme. Është e mundur që të gjithë këta persona të kenë një gjendje anatomike të ngjashme venash.

Pra, pasi të gjenden shkaqet e droçkës së gjakut, mund të zgjatet sërish jetesa?

Po, pikërisht kështu. Por mund të arrijmë në një objektiv që sot duket utopik: arterioskleroza zero. Është logjike se nëse nuk do të ishte ky kusht patologjik, atëherë nuk do të formohej tromboza dhe për të shmangur formimin e një droçke gjaku sot farmakologjia ofron më të mirën e saj kundër rrezikut. Por objektivi i arteriosklerozës zero, që mund të arrihet vetëm pas dy brezash, kalon përmes një kontrolli konstant të përbërë prej nëntë faktorësh të rrezikshëm, të cilët sot janë përgjegjës të infarktit në 90 për qind të rasteve. Disa prej tyre janë të pandryshueshëm, si fakti që je mashkull, ose mosha, ndërsa të tjerat mund të korrigjohen si mbipesha, stresi, pirja e duhanit, hipertensioni, diabeti apo të qenit sedentar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›