E Diel, 1 Nëntor 2026

Stiv Xhobs: Jam i sëmurë, do të tërhiqem deri në qershor

"Jam i sigurt se e keni lexuar e-mail-in tim javën e kaluar, ku kisha shkruar disa lajme shumë personale mbi shëndetin tim. Fatkeqësisht, kurioziteti mbi gjendjen time shëndetësore vazhdon të jetë një problem jo vetëm për familjen time, por për të gjithë kompaninë ‘Apple‘. Ndërkaq, kam marrë vesh se problemet e mia janë më komplekse se sa mendoja në fillim". Në këtë mënyrë Stiv Xhobs, administratori i deleguar i "Apple", ka deklaruar tërheqjen nga ndërmarrja e Kupertinos deri në qershorin e këtij viti, duke specifikuar se pavarësisht gjithçkaje do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm në marrjen e vendimeve të mëdha të kompanisë. Sipas rregullores administrative, vendi i tij do të zihet nga drejtori ekzekutiv Tim Kuk. Me një letër të publikuar javën e kaluar, në prag të konferencës "MacWorld", Xhobs ia kishte atribuuar rënien e pakontrolluar të peshës një çekuilibrimi hormonal të muajve të fundit dhe kishte saktësuar se ishte duke ndjekur disa kura, duke nënvizuar se ishte plotësisht në gjendje të vazhdonte të luante një funksion në kompaninë e themeluar prej tij, "Apple". Një ditë më vonë, në skenën e "Moscone Center", për të prezantuar produktet e reja të kësaj kompanie, ishte ngjitur Fil Shiller, zëvendëspresidenti i "Product Marceting". Me pak fjalë, mbaroi një epokë e pas saj vijnë javë të tëra diskutimesh shumë të mëdha mbi fatin e ardhshëm të "Apple" pa Xhobs në krye. Në fakt, problemet e Stiv Xhobsit me shëndetin kanë nisur që herët. Në vitin 2004 ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të kuruar kancerin në pankreas, që doli me sukses, siç deklaroi edhe vetë ai nga kompjuteri personal, kur ishte në shtratin e spitalit. Megjithatë, qershorin e kaluar, me rastin e daljes në treg të "IPHONE 3G", u shfaq shumë i dobët, ndërsa më vonë u mor vesh se i ishte nënshtruar një tjetër ndërhyrjeje. Në shtator, kur prezantoi modelin e ri të "IPOD", Xhobs nisi të bënte shaka për shëndetin e tij, duke përgënjeshtruar "Bloomberg", që kishte publikuar gabimisht nekrologjinë e tij të vdekjes. Të gjithë e mbajnë mend që Xhobs nuk qëndroi më shumë se një orë në skenë, duke u kollitur e skuqur shpejt në fytyrë. Një muaj më vonë, kur prezantoi një lloj të ri kompjuteri, bashkë me të ishte edhe Xhonatan Iv, Tim Kuk dhe Fill Shiller. Si të thuash: në vend të një personi të vetëm, një skuadër personash të pasionuar dhe të besueshëm, në gjendje të ruajnë shpirtin novator të Kupertinos. Xhobs është shpirti i "Apple" dhe zërat për gjendjen e tij shëndetësore gjithmonë kanë provokuar ulje ngritje në kuotimet e saj në bursë, ku vetëm dje arriti të humbte dhjetë për qind. Aksionistët nuk do të harrojnë që falë tij "Apple" u bë një lider në tregun e produkteve high-tech. Por sot, "Apple" nuk ka ndërmend të merret vetëm me kompjuterët, nën emrin e saj është hapur edhe dyqani i parë i muzikës online, një prej prodhuesve më të famshëm të telefonave, riprodhimi i "MP3" më të famshëm në botë. Një ndërmarrje solide, si rrallë ndonjë tjetër në kohët e recesionit ekonomik, por mbi të gjitha një ëndërr e bërë realitet: ajo e një teknologjie perfekte, e aftë të ruajë gjithmonë fytyrën njerëzore.

Një copëz e dhimbshme nga jeta ime

"Kur isha 17 vjeç thosha shumë shpesh një frazë që ishte pak a shumë kështu: nëse do ta jetosh çdo ditë sikur të ishte dita e fundit e jetës, një ditë me siguri do të kesh të drejtë. Më hyri shumë në zemër, e që atëherë çdo mëngjes, pasi shihem në pasqyrë, pyes veten se nëse do të ishte sot dita e fundit e jetës sime, do të doja të bëja atë që kam për të bërë sot? Dhe përgjigjja për shumë ditë me radhë është se çdo ditë më duhet të ndryshoj diçka. Ndaj, duke kujtuar se një ditë do të vdes, më bën të mendoj se vërtet duhet të bëj zgjedhje me vlerë në jetë. Sepse, të gjitha idetë, që nga krenaria e deri te frikërat, zhduken përpara idesë së vdekjes, duke bërë që të ngelen vetëm ato që janë vërtet të rëndësishme. Mënyra më e mirë që unë njoh për të evituar rënien në kurthin e atyre që mendojnë se kemi gjithmonë diçka për të humbur, është të kujtosh se nuk jemi të pavdekshëm. Ju them me dashamirësi, se nuk na ngelet gjë tjetër veçse të ndjekim zemrën tonë që na drejton drejt gjërave që dua. Pak a shumë një vit më parë më thanë se kisha kancer. Bëra analizat e nevojshme dhe një ditë, që në orën 07.30 të mëngjesit, mjekët më thanë se bëhej fjalë për një tumor në pankreasin tim. Gjithashtu më thanë se bëhej fjalë për një lloj kanceri të pashërueshëm dhe se do të vdisja brenda 3 ose maksimumi gjashtë muajsh. Kështu që mendova se do të ishte më mirë që të përgatitesha. Kjo do të nënkuptonte që t‘u thosha fëmijëve në pak muaj atë që mendoja se mund t‘ua thosha për dhjetë vjet. Kjo do të thotë, gjithashtu, t‘i bëj gjërat në një mënyrë të tillë që familja t‘i merrte sa më lehtë të ishte e mundur. Të përgatitesha për t‘u thënë atyre që doja më shumë, lamtumirë. Çdo ditë jetoja me ndjenjën e asaj diagnoze gjatë gjithë ditës. Kur erdhi biopsia, domethënë rezultati i analizës së bërë pas futjes së endoskopit nëpër fytin tim, përmes stomakut, isha nën anestezi, por gruaja ime - që ishte atje - më tha se kur mjekët panë qelizat në mikroskop filluan të bërtisnin, duke thënë se bëhej fjalë për një kancer në pankreas shumë të rrallë, por të kurueshëm me anë të një ndërhyrjeje kirurgjikale. Bëra atë ndërhyrje dhe tani, për fat, jam mirë. Kjo ka qenë edhe hera e parë kur isha më afër vdekjes dhe shpresoj që të jetë e fundit edhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë. Meqenëse i kam "kaluar" afër tani, mund të flas më shumë për atë (vdekjen), që për mua dikur ishte një koncept abstrakt. Askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe personat që duan të shkojnë në parajsë, në realitet nuk duan të vdesin për të shkuar atje. Por vdekja është destinacioni i fundit, që të gjithë e kemi të përbashkët. Askush nuk i ka shpëtuar. Dhe është kështu siç duhet të jetë, sepse vdekja me të gjitha mundësitë është një nga shpikjet më të mëdha në jetë. Largon të vjetrin për t‘i hapur vendin më të riut. Koha jonë është e kufizuar, kështu që nuk duhet ta harxhojmë duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Nuk duhet absolutisht të jetojmë, duke ndjekur rezultatet dhe mendimet e të tjerëve. Nuk duhet të lejojmë që zërat e të tjerëve të na shkatërrojnë ato që kemi ndërtuar vetë. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, është se duhet të kemi kurajën për të dëgjuar zemrën tonë dhe intuitën tonë. Në një farë mënyre vetëm ato e dinë se ç‘duam të bëhemi vërtet. Tani nuk më ngelet gjë tjetër veçse t‘u them: shihemi në qershor, sepse unë nuk kam frikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›