E Diel, 1 Nëntor 2026

Peleshi takohet me homologun Rosenkranz: Austria mbështetëse e integrimit europian, ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi

Në kuadër të një vizite zyrtare në Austri, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit austriak, Walter Rosenkranz, duke shënuar nisjen e një faze të re të diplomacisë parlamentare shqiptare për avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kryetari Peleshi theksoi se pas mbështetjes së Komisionit Europian, Parlamentit Europian dhe qeverive të vendeve anëtare, tashmë është thelbësore sigurimi i mbështetjes së parlamenteve kombëtare dhe qytetarëve të vendeve të BE-së.

Ai u shpreh se kjo nismë nisi nga Vjena, duke vlerësuar rolin historik të Austrisë si një aleat i qëndrueshëm i Shqipërisë që prej shpalljes së pavarësisë dhe në vijimësi, në mbështetje të objektivit strategjik kombëtar, anëtarësimit në familjen europiane.

Gjatë takimit, Peleshi vuri në dukje angazhimin e Austrisë për integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar këtë proces një vlerë të shtuar për Bashkimin Europian dhe për forcimin e paqes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në kontinent.

“Por Austria ka qenë pranë Shqipërisë edhe në historinë e vetë moderne. Pas viteve 1990, në procesin tonë drejt ribashkimit me Europën, Austria ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë, duke mbështetur vendin tonë jo vetëm me vullnet politik, por edhe me veprime konkrete. Dua të veçoj këtu Punishtën e Demokracisë, një iniciativë jo shumë e njohur për publikun në gjerë, por ku janë trajnuar mbi 6000 fëmijë, të cilët mësojnë demokracinë, vendimmarrjen dhe funksionimin e institucioneve shqiptare.

Austria ka kryesuar edhe Grupin e Miqve të Ballkanit për vendimmarrjen, një dorë e rëndësishme dhe e fuqishme mbështetëse për gjithë rajonin drejt integrimit në Bashkimin Europian”, ka deklaruar Peleshin në takimin e mbajtur me homologun e tij.

Më tej, Peleshi theksoi se ky tur vjen edhe në kuadër të ndërtimit tëurave dhe hapësirave të reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Unë erdha jo vetëm për të shprehur falënderimin në emër të gjithë shqiptarëve për atë që Austria po bën për Shqipërinë, por edhe për të ndërtuar ura dhe hapësira të reja bashkëpunimi. Si tha Zoti President, edhe në fushën e edukimit kemi disa iniciativa pionere, si Akademia Peter Mahringer në Shkodër, por edhe iniciativa më e fundit, bashkëpunimi midis Universitetit Boku të Vjenës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës. Janë disa nga këto iniciativa të cilat jam i bindur se pas kësaj vizite do të shumëfishohen dhe do të shtohen, sepse ne shqiptarët duam të jemi me dinjitet në Europë. Nuk duam të jemi vetëm përfitues nga tregu i përbashkët i mundësive, ekonomisë dhe politikës, por duam të jemi edhe kontribues me dijet tona, me angazhimin tonë, me pjesën intelektuale të ekonomisë së dijes, drejt një epoke të re ku shqiptarët do të jenë në standarde të larta dhe europiane”, theksoi ai.

Gjatë takimit, të dy palët vlerësuan nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, si dhe për të intensifikuar bashkëpunimin parlamentar në nivele të ndryshme, nga drejtuesit e lartë, te komisionet, grupet e miqësisë dhe shërbimet parlamentare.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua rolit aktiv të Shqipërisë në nismat rajonale që mbështesin dialogun dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria dhe Austria mbeten partnerë kyç në fushën e sigurisë, duke ndarë qëndrime parimore mbi sigurinë europiane dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.

Në fokus ishte edhe mbështetja për Kosovën në arenën ndërkombëtare, përfshirë shtimin e njohjeve, avancimin e integrimeve euro-atlantike, dialogun Prishtinë-Beograd dhe rolin e Austrisë për heqjen e plotë të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës. Të dy vendet riafirmuan qëndrimin e përbashkët për të vijuar mbështetjen ndaj Ukrainës dhe përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Europë dhe më gjerë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›