E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Lufta” me zjarret/ Shuhen 15 vatra, mbi 70 zjarrfikës në landfillin e Elbasanit

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë kaluar një tjetër ditë “lufte” me zjarret në territor, të cilat po përhapen nga erërat e forta dhe thatësia e sezonit.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 15 vatra zjarrin në zona të ndryshme të vendit.

Ndërkohë puna vijon me intensitet për neutralizimin e flakëve në 2 vatra aktive.

“Në fshatin Krastë, njësia administrative Fushë-Krujë, puna vazhdon për zjarrin e rënë në një sipërfaqe me pisha ku situata është nën kontroll.

Gjatë gjithë natës dhe pa ndërprerje po punohet në vendgrumbullimin e mbeturinave të qytetit Elbasan, për kapsulimin e vatrave pas zjarrit me përmasa të mëdha, pasditen e djeshme,” njoftoi ministri Peleshi.

Për operacionet e zjarrshuarjes në Elbasan po bashkëpunojnë mbi 70 efektivë të emergjencave civile dhe ushtarake, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile.

Ndërhyrjet janë realizuar me 16 mjete zjarrfikëse dhe 10 mjete ndihmëse, duke e përmirësuar situatën e vështirë të krijuar nga temperaturat e larta që krijohen nga djegia e mbeturinave.

Autoritetet thonë se janë në gatishmëri të plotë në nivel qendror e lokal për mbajtjen nën kontroll të situatës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›