Lufta mes kapove të drogës, 9 viktima të reja në Meksikë

Të tjera viktima janë gjetur në Meksikë. Të paktën nëntë kufoma me shenja të dukshme në trup u gjetën të varur në urën e qytetit Nuevo Laredo në Meksikë. 5 prej tyre ishin të varur në urë, ndërsa 4 të tjerë ndodheshin të shtrirë mbi të. Autorët e sulmit makabër të radhës mes karteleve të drogës janë besnikë të kartelit të drogës Los Zetas të cilët synojnë të shtrijnë kontrollin e tyre brenda pak ditësh nga kapja e kreut të tyre. Edhe pak ditë më parë, policia meksikane bëri të ditur se gjeti trupat e 16 personave të seksit mashkull, brenda një furgoni të braktisur pranë një rruge në shtetin perëndimor të Guerreros.
Sipas deklaratës së një prokurori lokal, të gjithë trupat kishin plagë të shumta plumbash. Policia beson se 16 viktimat, të cilat duhet të identifikohen, mund të jenë viktima të një lufte të ashpër dhe të vazhdueshme mes dy karteleve të drogës, familja Michoacan dhe Templar Knights. Në jo pak raste në Meksikë, gjenden trupa të copëtuar, pa kokë, pa gjymtyrë, apo dhe të tjerë të masakruar nga plumbat. Më herët gjatë muajit, qeveria meksikane miratoi një vendim për mobilizimin e 12 mijë ushtarëve dhe 3 mijë agjentëve të policisë federale në 7 shtete të vendit, për të luftuar krimin e organizuar. Në tërësi, dhuna e lidhur me trafikun e drogës në Meksikë ka shkaktuar rreth 50 mijë viktima që prej vitit 2006, kur Presidenti i atëhershëm angazhoi Ushtrinë në luftën kundër karteleve.