E Enjte, 5 Nëntor 2026

Lufta ndaj Ukrainës, Australia vendos sanksione ndaj separatistëve ukrainas dhe zyrtarëve rusë

Australia ka vendosur sanksione të mëtejshme dhe ndalime udhëtimi kundër anëtarëve të parlamentit rus dhe separatistëve ukrainas, njofton CNN.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme listimet e reja do të synojnë 110 individë, duke përfshirë 34 “anëtarë të lartë të lëvizjeve të udhëhequra nga Rusia” në Donetsk dhe Luhansk.

“Këta individë kanë shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përmes pohimit të tyre të autoritetit qeveritar mbi zonat e Ukrainës pa autorizimin e qeverisë ukrainase.  Mes të sanksionuarve janë edhe 76 anëtarë të Dumës së Shtetit, parlamentit të Rusisë. Individët e sanksionuar votuan “për të njohur Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura”, thuhet në deklaratë.

“Me këto lista të shpallura, qeveria do të ketë sanksionuar 812 individë dhe 47 subjekte në përgjigje të luftës ilegale të Rusisë. Australia përsërit mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe për popullin e Ukrainës”, thuhet në deklaratën nga Ministria e Punëve të Jashtme të Australisë.

Ambasadori i SHBA në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter tha se SHBA kishte raporte të intelegjencës “shumë të besueshme ” se Rusia do të përpiqet të aneksojë rajonet e Donetsk dhe Luhansk “diku nga mesi i majit”.

Ndërkohë politikani rus Oleg Matveichev u sanksionua gjithashtu nga Australia “për përhapjen e dezinformatave dhe propagandës”. 

Australia është një nga një sërë vendesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, që kanë vendosur vazhdimisht saksione të reja ndaj Rusisë që nga fillimi i pushtimit. Më 14 prill, Australia sanksionoi 14 ndërmarrje shtetërore ruse me “rëndësi strategjike dhe ekonomike”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›