Lufta ndaj korrupsionit, 1.000.000 euro të sekuestruara nga policia
Gjatë vitit 2008 janë arrestuar 466 persona në luftën kundër narkotikëve dhe janë zbuluar 624 vepra penale
Policia e Shtetit gjatë vitit 2008 ka goditur 40 grupe kriminale të shpërndarjes së drogës, ndërkohë pas hetimeve të veprave penale të korrupsionit është sekuestruar një shumë prej 1.000.000 eurosh.
Nga ky departament në luftën kundër narkotikëve janë zbuluar 624 vepra penale, ku për autorë kanë qenë 587 persona, nga të cilët 466 janë arrestuar. Ndërkohë në luftën ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave janë evidentuar 2.530 vepra penale, ku janë proceduar 2.606 autorë, janë arrestuar 463 persona dhe 2.113 po procedohen në gjendje të lirë.
Nga Departamenti i Hetimit të Krimeve janë zbuluar 624 vepra penale, ku janë evidentuar si autorë të tyre 587 persona, nga të cilët janë ndaluar 466 prej tyre.
Sipas drejtuesve të policisë, lufta ndaj lëndëve narkotike është vlerësuar edhe nga policitë homologe të vendeve evropiane, pasi ndryshe nga vitet e tjera kur në Itali sekuestroheshin sasi të mëdha lëndësh narkotike të nisura nga Shqipëria, për vitin 2008 janë sekuestruar vetëm 10 kg heroinë e 4 kg marijuanë.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, u shpreh se “gjatë vitit 2008, Departamenti për Hetimin e Krimeve ka përballuar një volum pune të konsiderueshëm, duke bërë përpjekje për të konsoliduar strukturën e re të Policisë së Shtetit, implementuar aktet nënligjore të dala në zbatim të Ligjit të Policisë së Shtetit, si dhe për të përballuar situatën kriminale e për të zbatuar detyrimet e marra nga Programi Vjetor i Punës së Policisë së Shtetit për vitin 2008”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, vlerësoi punën e bërë nga Departamenti i Hetimit të Krimeve, pasi ky departament është një nga më të rëndësishmit e Policisë së Shtetit. “Ju vlerësoj për rezultatet, por ne kemi edhe shumë për të bërë. Përveç goditjes së grupeve kriminale, ne duhet të punojmë më shumë në identifikimin dhe sekuestrimin e pronave të vëna si pasojë e aktiviteteve kriminale. Nuk duhet të tolerojmë që disa persona kanë vënë pasuritë e tyre si pasojë e aktivitetit kriminal para disa vitesh dhe sot i gëzojnë ato sikur t’i kishin të ligjshme. Ne duhet të punojmë më shumë për t’i identifikuar dhe më pas për t’i proceduar përpara ligjit këta persona”, - u shpreh Prençi.
Ndërsa Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsi Çela, vlerësoi punën e bërë nga ky departament, si dhe bashkëpunimin midis dy institucioneve për hetimin e krimeve. “Jam shumë i impresionuar nga puna e bërë gjatë këtij viti në luftën kundër krimit të organizuar. Për herë të parë po njihem me statistikat e policisë italiane, të cilat tregojnë se trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali është minimizuar, falë punës profesionale të specialistëve të Policisë së Shtetit”, - u shpreh prokurori Çela, duke shtuar se “duhet theksuar se bashkëpunimi Prokurori e Krimeve të Rënda-polici ka qenë shumë i suksesshëm, duke përfunduar me sukses një numër të madh operacionesh. Ky bashkëpunim duhet të shtrihet edhe me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. Ndërkohë që përdorimi me sukses i metodave speciale të hetimit tregon profesionalizmin e strukturave të policisë”. Këtë vit kanë rifilluar hetimet për 215 krime të vjetra, nga të cilat është bërë i mundur dokumentimi për 170 vepra penale, nga të cilat, 39 vrasje.
Gjatë vitit 2008, nga ZQK Interpol Tirana janë shpallur në kërkim ndërkombëtar gjithsej 355 persona. Janë arrestuar 135 persona me qëllim ekstradimi, 12 persona më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2007, nga këta, 132 janë shtetas shqiptarë të arrestuar, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë dhe 3 shtetas janë të arrestuar me qëllim ekstradimi për llogari të vendeve të tjera.
Ndërkohë janë ekstraduar 92 shtetas, nga këta 86 shtetas shqiptarë të ekstraduar drejt vendit tonë të dënuar nga organet tona të drejtësisë dhe 6 drejt vendeve të tjera.