E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Sistemi i drejtësisë, me probleme të rënda, ende i sëmurë



Akuza: Segmente të caktuara të drejtësisë funksionojnë me klane tradicionale, duke rritur rrethin e miqve dhe interesave

Drejtësia ka probleme të rënda dhe të shumta. Deklarimi erdhi nga kreu i shtetit, njëkohësisht edhe kryetar i KLD-së, z. Bamir Topi, i cili drejtoi mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2008. Kreu i KLD-së ka kritikuar sistemin e drejtësisë, gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në fjalën e tij, kreu i shtetit nuk ka kursyer kritikat, duke deklaruar se sistemi ynë i drejtësisë mbetet ende larg standardeve të caktuara. “Më vjen mirë të them që ka hapa progresivë, por nuk më vjen mirë të them që konstatojmë që ende sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i sëmurë. Vazhdon të jetë i sëmurë, sepse ne ende jemi larg kapjes së atyre standardeve”. Sipas Topit, sistemi vuan nga klanet tradicionale në segmente të caktuara të tij. “Drejtësia ka nevojë të rimëkëmbet e të shërohet dhe për shërim nga korrupsioni duhen veprime konkrete dhe nuk duhen vetëm deklarata”, - ka thënë ai. Presidenti, duke iu drejtuar anëtarëve të KLD-së, ka theksuar se ka ikur koha e mediokritetit, ndërsa ka shtuar se ka njerëz që po myken në poste të përjetshme, ndaj është koha, sipas tij, t’i hapet rrugë magjistraturës së re. “Sepse vazhdojnë akoma në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë me klane tradicionale, vazhdojnë me rrethin e miqve të miqve. Nuk shkohet nëpër pozicione për të rritur rrethin e “miqve” dhe të interesave. Nga dikush mund të kuptohet kështu, por sistemi i drejtësisë duhet të jetë fare i hapur”, - u shpreh kreu i KLD-së gjatë mbledhjes së djeshme. Nuk kanë munguar edhe vlerësimet nga ana e Presidentit për punën e mirë që është bërë në fushën e drejtësisë. Ai ka theksuar se janë përballuar shumë sfida, edhe mbi bazën e vullnetit politik. Ndërkohë që 80 për qind e drejtuesve të sistemit të drejtësisë, sipas Topit, janë ndryshuar.

Shkolla e Magjistraturës

Një theks të veçantë gjatë mbledhjes së djeshme, kreu i KLD-së i vuri prurjeve të reja nga Shkolla e Magjistraturës. Sipas tij, është shumë i rëndësishëm rinovimi me gjyqtarë të rinj që vijnë nga Shkolla e Magjistraturës. “Një organizëm i sëmurë, nuk ka rëndësi sa e rëndë është sëmundja, por gjithnjë ka nevojë dhe duhet të rrisë imunitetin”, - shtoi z. Topi, duke vijuar se “do i konsideroja ardhjet nga Shkolla e Magjistraturës si antitrupa në favor të shëndoshjes së imunitetit të sistemit të drejtësisë”. Gjithashtu, z. Topi u kushtoi një rëndësi të veçantë edhe studentëve shqiptarë që kanë përfunduar studimet në universitete prestigjioze në botë, të cilëve shumë pak, sipas tij, u është dhënë mundësia nga mediokrit të kenë funksione drejtuese apo dhe të tërhiqen për t’u angazhuar në sistemin e drejtësisë. Lidhur me këtë fakt, kreu i KLD-së theksoi se “kemi mundësi të mos i lëmë njerëzit e aftë dhe profesionistë të marrin pozicione dhe profesione të tjera, sepse nuk ka mundësi dhe nuk ka realitet dhe të lëmë njerëz të tjerë, të cilët janë të mykur nëpër disa pozicione, duke mos vënë drejtësi, duke dhënë favore dhe duke e lënë këtë shoqëri që të mendojë që a do të ketë drejtësi në Shqipëri apo jo”. Në fund të fjalës së tij, Presidenti u shpreh se KLD do fillojë punën duke përgatitur vitin 2009 për miratimin e akteve nënligjore që rrjedhin nga ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, për furnizimin me magjistratë të rinj në sistemin e gjykatave. “Të bëjmë një zgjedhje shumë objektive, jo zgjedhje në favor të individëve, ata janë të rinj, ata duhet të mësojnë diçka”, - përfundoi ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›