E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu lë pas dere magjistratët



Ministria: Vendimi i KLD-së dëmton Shkollën e Magjistraturës dhe shkel ligjin. Kandidatët duhej të ishin emëruar që në tetor të këtij viti

Ministria e Drejtësisë e cilësoi dje vendimin e KLD për të hedhur poshtë 10 propozimet për vendet vakante në gjykatat e vendit si shkelje të frymës së ligjit, që dëmton funksionimin e Shkollës së Magjistraturës. Ministri i Drejtësisë nga ana e tij e ka realizuar detyrimin ligjor të tij dhe rrëzimi i propozimit të tij nga KLD lë në pritje kandidatët që për t’u emëruar gjyqtarë kanë ndjekur procedurën e konkurrimit dinjitoz dhe të arsimimit në Shkollën e Magjistraturës. “Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka lënë pas dyerve të KLD-së magjistratët, kjo sepse tenderin e ka bërë gjetkë me të tjerë”, - thanë burime nga ky institucion. Vendimi i djeshëm i KLD-së bie ndesh edhe me ato që ka thënë Presidenti i Republikës, njëkohësisht kryetar i këshillit, i cili e ka cilësuar rinovimin e institucionit me emra nga Shkolla e Magjistraturës si një mundësi për të ndihmuar në pastrimin dhe përmirësimin e punës së gjyqësorit. Ndërkohë në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë thuhet se ky votim, i cili ka lënë jashtë një pjesë të kandidatëve për vendet vakante, ka efekte edhe në funksionimin e pushtetit gjyqësor, sepse sipas ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”, emërimi i këtyre gjyqtarëve duhej bërë që në tetor dhe me ligj ata kanë të drejtën e pagesës së plotë deri në ditën e emërimit.

Propozimi i mësipërm i ministrit të Drejtësisë u bazua në faktin se me anë të caktimit të këtyre vendeve vakante, do të jepej një mesazh i qartë për promovimin e gjyqtarëve që përfundojnë Shkollën e Magjistraturës, të dhënies së rëndësisë së veçantë që Shkolla e Magjistraturës duhet të zërë në sistemin e drejtësisë dhe në ruajtjen e mëtejshme të mundësisë reale për të gjithë gjyqtarët e tjerë të republikës, për të konkurruar në gjykatat më të mëdha, siç janë ato të rretheve gjyqësore Tiranë e Durrës.

Propozimi i ministrit për 10 vendet vakante në gjykatat Lezhë, Kavajë, Korçë, Lushnje, Fier e Shkodër u rrëzua, megjithëse ky propozim mbështetej në një studim të llojit të gjykatave, të infrastrukturën e tyre dhe rezultatet përfundimtare akademike të kandidatëve. KLD-ja e rrëzoi këtë propozim, me arsyetimin që të emëroheshin vetëm kandidatët për vendet vakante në gjykatat Korçë, Lushnje, Fier e Shkodër dhe rrjedhimisht të mos emëroheshin kandidatët në vendet vakante në gjykatat Kavajë dhe Lezhë, pra duke e copëzuar procesin, megjithëse kishte vende vakante dhe për pasojë në shkelje të frymës së ligjit. Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme u diskutuan edhe tre projekt-aktet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. KLD kishte draftuar paraprakisht tre prej tyre “Për rregullat e etikës dhe solemnitetit në gjykim”, “Për procedurat e shortit” dhe “Për sistemin e vlerësimit”. Nga ana e ministrit të Drejtësisë u depozitua projekt-vendimi përkatës, për të cilin u vendos se do të shqyrtohet dhe miratohet në mbledhjen e ardhshme të këshillit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›