Lufta në Libi, NATO zbarkon me helikopterë

NATO ka njoftuar se sot për herë të parë ka përdorur helikopterët për sulmet në Libi. Aleanca Atlantike, përmes një komunikate ka njoftuar se “helikopterët sulmues nën udhëheqjen e NATO-s, janë përdorur për herë të parë më 4 qershor 2011 në operacionet ushtarake mbi Libinë”.
NATO ka thënë se objektet e bombarduara përfshijnë automjetet ushtarake, pajisjet ushtarake dhe forcat tokësore pa dhënë detaje të sakta ku kanë ndodhur sulmet.
Komunikata thotë se përdorimi i helikopterëve i ofron operacioneve të NATO-s në Libi fleksibilitet shtesë që të gjejë e sulmojë forcat e lideri libian, Muamer Gadafi.
Kjo lloj taktike duket se i çon aksionet e NATO-s drejt një lufte më tokësore në Libi ku deri tani ishte vepruar me bombardime nga avionë që veprojnë në lartësi të mëdha e në disa raste nuk kapen as nga radarët.
Trazirat në Jemen, largohet presidenti i vendit
Rezidenca e tij u sulmua me granatë
Pas sulmit me granata ndaj rezidencës së tij, presidenti i Jemenit Ali Abdullah Saleh është larguar nga vendi. Mediat ndërkombëtare, mes të cilave edhe televizioni Al Arabia, njoftuan se Saleh, i cili u plagos ditën e djeshme gjatë sulmeve, është shtruar në një spital në Arabinë Saudite ku do të kurohet.
Gjermania mbyll ambasadën në Jemen
Gjermania ka vendosur të mbyllë ambasadën në kryeqytetin e Jemenit, për shkak të akteve të dhunës që kanë përfshirë vendin. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Jashtme gjermane, e cila ka saktësuar se personeli diplomatik do ta lërë sa më shpejt vendin. “Edhe pse luftimet në Sana nuk prekin në mënyrë direkte të huajt, rreziku që vjen nga kjo situatë ka çuar qeverinë në marrjen e këtij vendimi”, thuhet në një deklarate. Disa ditë më parë edhe Shtetet e Bashkuara nisën tërheqjen e personelit jothelbësor të ambasadës amerikane në kryeqytetin jemenas. Situata në vend u përshkallëzua ditën e djeshme, kur luftëtarët tribalë sulmuan kompleksin presidencial të Jemenit, ku mbeti i plagosur presidenti Saleh.
...