E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, humbës profesionist

05-06-2011 / Gazeta 55

U bënë shumë prova e shumë humbje që na mundësojnë cilësimin e Edi Ramës si një humbës profesionist. Disa raunde zgjedhjesh të pjesshme, zgjedhjet e 2009-s, humbja kombëtare e 2011-s si dhe humbja personale e Tiranës e klasifikojnë atë si një hipotekë që i garanton të majtës sigurinë e një opozite jetëgjatë

Kreu i opozitës, Edi Rama, është një humbës i denjë i garave elektorale. Nuk mjafton të sjellim në vëmendje humbjen e dhimbshme në bashkinë e Tiranës, ku ai kandidoi për postin e katër të kryebashkiakut, por në çdo përballje kur ai ka qenë “fortesa” e opozitës dhe Partisë Socialiste, ka dalë gjithmonë i humbur.
Tkurrja elektorale në disa prej zonave zgjedhore në vend, ka ecur me ritme të përshpejtuara vit pas viti, që nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës, ku nën drejtimin e ish-kryeministrit Fatos Nano, PS njohu humbjen në këto zgjedhje dhe pranoi rotacionin e pushtetit. Më pas, nderin e shthurjes së elektoratit dhe humbjes së mbështetjes popullore do ta gëzonte Edi Rama, i ardhur rishtazi në krye të Partisë Socialiste dhe pa background-in e duhur politik për të qenë lideri i të majtës shqiptare dhe Partisë Socialiste.
Vit pas viti Edi Ramën do ta pasonin humbje të njëpasnjëshme.
Kërcitjet e para do të vëreheshin në garat elektorale të pjesshme në disa prej njësive vendore, ku kandidatët e Edi Ramës do të humbnin përballë atyre të koalicionit të djathtë të udhëhequr nga Partia Demokratike.
‘Ogurët’ e humbjes do ta konfirmonin Edi Ramën si trashëgimtarë të denjë të disfatës majtiste, teksa ‘shuplakën’ e duhur për papjekurinë e tij politike do ta merrte në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, ku Aleanca e udhëhequr prej tij do të renditej si palë humbëse e zgjedhjeve.
Pavarësisht se nga momenti kur KQZ certifikoi mazhorancën e djathtë dhe Partinë Demokratike fituese të parlamentareve, Edi Rama për të mbetur në politikë me çdo kusht, do të kurdiste kalvarin e protestave në shenjë dëshpërimi dhe revolte të “brendshme”, nga rezultati elektoral që solli 28 qershori.
Kjo s’do të mbetej me kaq.
Humbja e 28 qershorit ishte tregues i qartë i dëshpërimit të elektoratit të majtë që ishte vërejtur që në zgjedhjet vendore të 17 shkurtit 2007. Përveç bashkisë së Tiranës, të cilën Edi Rama e bëri të tijin me “lojën” e certifikatave dhe të 2-3 qyteteve të mëdha, në shkallë kombëtare Edi Rama do humbte ndjeshëm mbështetjen në vota’. Kjo reflektoi në disfatën e “madhe” të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, të cilat do të zhvilloheshin vetëm 2 vite më pas. Në një kohë kur Edi Rama duhej të reformonte strukturat e selisë rozë si dhe të thithte pranë vetes ‘fraksionet civile’ me qëllim unifikimin e opozitës dhe riformatimin e koalicionit të majtë, Edi Rama do të çonte në përndjekje 7 deputetë të opozitës vetëm 6 muaj pas zgjedhjeve vendore të 2007-ës. Nga ky moment, PS dhe e majta politike morën rrëpirën, duke humbur terren të jashtëzakonshëm.
Edi Rama ishte i pafuqishëm (si dhe vazhdon të mbetet i tillë), të ndalonte rrjedhjen e brendshme të PS. Etiketimi si armik dhe agjent të partisë kundërshtare të atij që shpreh mendimin alternativ, e ktheu PS-në në një parti politike ku nuk garantohej mendimi i lirë dhe demokratik.
PS, duke u rikthyer në zanafillën e saj, PPSH, krijoi “bunkerin e madh”, duke shpallur ilegale çdo mendim dhe opinion që binte ndesh me qëndrimin primar të kryetarit. Instalimi i një censure të tillë despotike e ktheu PS-në në diktatin e mirazhit të Enver Hoxhës. Mos shkëputja e Edi Ramës nga tezat bizanteske të nomenklaturës komuniste i dha atij edhe ndëshkimin e merituar, i cili erdhi nga vetë qytetarët shqiptarë, veçanërisht nga ata të Tiranës.
Tashmë ai ka humbur pushtetin e influencës financiare (Bashkinë e Tiranës), ndërsa pritet të humbë edhe atë pushtet (PS-në), ëndrrën për të rrëmbyer karrigen e Kryeministrit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›