E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama harron KQZ-në, sulmon trupën e Kolegjit Zgjedhor. PD: Për fitoren e Bashës vendosën qytetarët e Tiranës

04-06-2011 / Gazeta 55

Çlirim Gjata: Votuesit e Tiranës shmangën lojën politike


UPDATE- Pasi ka lënë në plan të dytë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Edi Rama ndryshon kursin e akuzave politike, duke vërsulur mbi Kolegjin Zgjedhor llumin e përbaltjeve të dëshpërimit nga humbja e postit të kryetarit të bashkisë.


Edhe pse deri para 2 ditësh eksponentë të PS-së e vlerësuan trupën e Kolegjit si profesionale dhe me integritet të çmuar moral, shoqëror dhe qytetar, sot kjo trupë e drejtësisë, nuk ishte gjë tjetër veçse një paçavure që s’jep drejtësinë që duan kartelet e mafies financiare dhe të betonizimit të kryeqytetit shqiptar.


Sipas Ramës, vendimi i një dite më parë i Kolegjit Zgjedhor, për të legjitimuar fitoren e Lulzim Bashës në bashkinë e Tiranës, shtë i papranueshëm, ndërsa kërkoi ekspertizë ndërkombëtare për përputhje të vendimmarrjes ligjore të zgjedhjeve të 8 majit.


“Ekspertiza ndërkombëtare është e vetmja shpresë, e ofruar kjo nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Le të vazhdojmë betejën duke besuar fort te e vërteta si dhe te rezistenca e pashembullt nëse e drejta do të merret peng nga vula e gjykatës, humbësi nuk mund të bëhet fitimtar dhe fitimtari nuk mund të humbasë. Fitorja jonë shkëlqen çdo ditë e më shumë. Ata që duan ta grabisin nxjerrin në dritë natyrën e këtij regjimi dhe problemin e vërtetë të këtij vendi që është në duart e pista të Saliut”- përfundoi Rama. 


PD: Për fitoren e Bashës vendosën qytetarët e Tiranës


Reagon zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj


Partia Demokratike vazhdimisht është shprehur se cilido qoftë verdikti përfundimtar i këtij procesi, ne do ta respektojmë atë.  E dimë që është e pamundur për Edi Ramën të pranojë një rezultat ku ai ka humbur, por rezultati është rezultat. Në vitin 2009, ODIHR i ka tërhequr vërejtje Edi Ramës për “propagandim” në përpjekje që të siguronte një rezultat në favor të tij, jashtë kornizës institucionale. 


Është e qartë se ai dëshiron të bëjë të njëjtën gjë edhe sot, pavarësisht faktit se të gjithë e dinë se këto ishin zgjedhjet më të sakta dhe më të drejta në historinë e Shqipërisë. Pse nuk e deklaron Edi Rama faktin se nuk dëshiron të numërohet çdo votë? Pse nuk e pranon Edi Rama përfundimisht faktin se ai dëshiron që zëri i qytetarëve të mbytet?


Pse Edi Rama vazhdon të jetë në të gjithë Shqipërinë i vetmi person i cili bën presion dhe kërcënon institucionet në një përpjekje për të shkatërruar procesin ligjor? Pse Edi Rama përpiqet të errësojë dhe anatemojë vendimin unanim të një institucioni plotësisht jo-politik dhe të pavarur? Pse Edi Rama sulmon drejtësisë vetëm për faktin se ajo vendosi  të numërojë çdo votë?


Pse Edi Rama pretendon se krijon krizë një rezultat i ngushtë në procesin tonë demokratik, i cili u mbajt në mënyrë të drejtë, të lirë dhe transparente?


Pavarësisht se çfarë mund të thotë Edi Rama, të gjithë qytetarët e dinë se nuk është Gjykata ajo që vendosi për këto zgjedhje, por janë vetë kryeqytetasit.


Prandaj i kërkojmë z. Rama të heqë dorë nga çdo lloj presioni nga institucionet e pavarura kushtetuese të vendit. 


Ndërkohë që procesi ende vazhdon, të gjitha palët duhet të pranojnë rezultatin që buron vetëm nga zëri i qytetarëve.


Çlirim Gjata: Votuesit e Tiranës shmangën lojën politike


Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komenton vendimin e Kolegjit Zgjedhor për shpalljen e kandidatit Lulzim Basha si fitues i garës së 8 majit Pas rreth njëmbëdhjetë orësh, Kolegji Zgjedhor rrëzoi në themel kërkesën e Partisë Socialiste, e cila pretendonte pavlefshmërinë absolute të vlerësimit dhe numërimit të fletëve të votimit të gjetura jo në kutinë përkatëse, duke legjitimuar vendimmarrjen e KQZ, në rolin e KZAZ-së së madhe për zonën zgjedhore, Bashkia e Tiranës.


Pasi gjithçka ka përfunduar dhe ashtu siç dhe vetë e kishte pritur, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, deklaroi se kjo vendimmarrje u jep vlerë dhe vendimeve pasuese të PS, shpalljes së tabelës së rezultatit për KZAZ 49 dhe asaj përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës.


Sa i përket pjesës së dytë të vendimit të formës së prerë të Kolegjit Zgjedhor, atë të pushimit të gjykimit të çështjes lidhur me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme për çdo kuti të nxjerrë nga pala e paditur, KQZ, zoti Gjata, i jep ketë domethënie nisur dhe nga eksperienca e tij si gjyqtar. Finalja është se kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndonëse ende i paçeritifikuar zyrtarisht nga KQZ, është Lulzim Basha me 81 vota para rivalit të tij, Edi Rama.


Por ajo që zoti Gjata e quan fitore, është fakti se zgjedhësi i kryeqytetit përvese tregoi vlerën që ka vota, ia doli që me rezultatin e ngushtë, të shmangë lojën politike, duke i dhënë hapësirë në fushë vetëm përplasjes së argumenteve juridike.


Të premten, Partia Socialiste u përqendrua vetëm tek procedura në mbrojtjen e qëndrimit të saj në Kolegj, ndërsa KQZ si palë e paditur dhe demokratët si palë e interesuar, i mëshuan jo vetëm procedurës, por mbi të gjitha, asaj që nis që nga Kushtetuta: e drejta e votës, së lirë dhe të barabartë të qytetarit.


Pikërisht, këtu duket të ketë qenë dhe pika e dobët para trupës gjykuese një pjesë e së cilës në 2007-ën për një kuti në komunën Ndroq kishte refuzuar shpalljen e pavlefshmërisë, duke i dhënë sërish përparësi vullnetit të zgjedhësve dhe jo mënyrës së administrimit të procesit në qendrën e votimit.


Një ditë para vendimit të KQZ-së, Çlirim Gjata, e solli pikërisht në vëmendje këtë rast kur ai kryesonte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.


Sipas Kodit Zgjedhor, nenit 158 të tij, ku u bazua dhe vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor, ai është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij, pra ditën e hënë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›