Lufta në Ukrainë, “A rrezikohet Ballkani nga Rusia?” Rama: Jemi anëtarë të NATO-s por rajoni është i cenueshëm

Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat italiane lidhur me rrezikun që mund t’i kanoset Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit nga Rusia që prej agresionit të saj ndaj Ukrainës.
Rama ka theksuar se rajoni i Ballkanit është cenueshëm edhe pse Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë anëtare të NATO-s.
“Nuk do të thosha, ne jemi anëtarë të NATO-s. Gjendemi në kushte krejt të tjera, por me siguri rajoni ynë është një rajon i cenueshëm sepse është një rajon prej 6 vendesh, flas këtu për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku tre prej të cilëve janë anëtarë të NATO-s, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Një është qartësisht krah NATO-s dhe ka një bazë të NATO-s, Kosova”, është shprehur Rama para nderimit të tij me “Urdhrin e Minervës” nga universiteti “Gabriele d’Annunzio”.
Gjithashtu Rama evidentoi faktin se vendet e tjera të rajonit së bashku me Bashkimin Evropian po bëjnë çmos për ta mbajtur Serbinë në drejtim të Evropës dhe për ta shkëputur nga Rusia.
“Pastaj është Serbia si dhe Bosnje-Hercegovina, ku është edhe një Republikë Srpska ku ndikimi rus është mjaft i fortë dhe ku ka një zemërim të madh ndaj NATO-s dhe ku ka një zemërim ndaj Perëndimit, si dhe ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Kjo është cenueshmëri. Dhe për këtë duhet të punojmë siç po bëjmë çdo ditë për të mbajtur Serbinë dhe kombin serb nga ana jonë. Deri tani po funksionon dhe unë jam besimplotë se do të vazhdojë të funksionojë”, përfundoi Rama.
Rama foli më gjerësisht edhe për luftën në Ukrainë duke theksuar Perëndimi po bën të pamundurën për të ndihmuar Ukrainën përballë agresionit rus si dhe për të arritur paqen.
“Është një përpjekje e madhe që po bëjnë të gjithë si ata që po dërgojnë armë në Ukrainë, si ata që janë kundër dërgimit të armëve.
Të gjithë duan paqen dhe nuk është e thjeshtë sepse pasi është një gjendje tejet e veçantë, do të thosha një agresion ushtarak në Evropë, duke vënë në diskutim në mënyrë brutale sovranitetin dhe integritetin territorial të një vendi evropian.
Sigurisht do të ishte ideale të kishim një paqe pa përdorimin e armëve. Por nuk e shoh të mundur këtë. Të kthesh faqen tjetër është një ide shumë e mirë por jo kur bëhet fjalë për një pushtues. Historia nuk ka servir asnjë rast që duke i drejtuar faqen tjetër një pushtuesi është arritur paqja dhe pushtuesi është kthyer në shtëpi.
Duhet të përpiqemi të ekulibrojmë të dyja gjërat, është shumë më e thjeshtë se sa të bëhet. Duhet të punojmë çdo ditë për të krijuar një mundësi negociatash ndërsa luftimet vazhdojmë. Nëse Ukraina nuk do të ishte në gjendje të thoshte fjalën e saj atëherë çdo gjë do të kishte përfunduar dhe nuk do të kishte paqe, por do të kishte një pushtim ushtarak të një vendi evropian.
E papranueshme. Por nga ana tjetër duhet tentuar dhe ka më të zgjuar se unë për të gjetur zgjidhjen. Unë nuk e shoh për momentin veç zgjidhjes që kanë përcaktuar të gjitha vendet perëndimore pasi kanë reflektuar mjaftueshëm rreth kësaj”, theksoi kryeministri Rama.
/rtsh.al/