Lufta në fotografi

Në ekspozitën “Culture of Remembrance" (Kultura e Kujtimit) do të shfaqen fotografitë e mbledhura nga afro 50 pjesëmarrës të projektit nga BeH, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Gjermania dhe Serbia, bashkë me tregime të shkurtra të shkruara nga autorët e fotografive.
Ekspozita premierën e ka pasur në Sarajevë, dhe pas qëndrimit në Beograd, nga data 15 deri më 20 nëntor, do hapet edhe në Tetovë (21-26 nëntor) dhe në Prishtinë (29 nëntor), thuhet në njoftimin e organizatorëve të saj.
Sipas këtij njoftimi, në ekspozitë do të prezantohen fotografi amatore dhe profesionale të formateve të ndryshme, disa prej të cilave janë pjesë e albumeve private. Fotografitë janë shkrepur gjatë luftës, por edhe më vonë, dhe në to kryesisht janë shfaqur momente dhe ngjarje të caktuara, ose gjësende personale të fëmijëve të vrarë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Ndryshe, ekspozita është pjesë përmbyllëse e projektit “Rrjeti për Kulturën Participative të Kujtimit”, që u mbështet nga Programi për Kulturë për Ballkanin Perëndimor, nga Zvicra.
Në organizimin e ekspozitës udhëtuese morën pjesë Festivali MESS, nga Sarajeva, organizata Loja, nga Tetova, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, nga Beogradi, dhe Qendra Multimedia, nga Prishtina.