Ibrahimovic: Gerrard, largohu nga Liverpool

Kapiteni i Suedisë, Zlatan Ibrahimovic beson se homologu i tij nga Anglia, Stevem Gerrard duhet të largohet nga Liverpool dhe t’i bashkohet një “klubi të madh ndërkombëtar”. Ibrahimovic dhe bashkëlojtarët e tij suedezë të mërkurën mbrëma u ndeshën më Anglinë dhe Gerrardin në Stochkolm në ndeshjen miqësore ndërkombëtare.
Por, para këtij dueli, sulmuesi i Paris Saint-Germain shprehu admirimin e tij për Gerrardin, edhe pse theksoi se mendon që tani është koha që mesfushori të largohet nga Anfield Road dhe Premierliga.
“Mendoj se Steven Gerrard është i respektuar në mbarë Evropën”, deklaroi Ibrahimovic gjatë një konference për shtyp.
“Jam i sigurt për këtë sepse ai është gjithmonë futbollisti për të cilin çdo trajner thotë të keni kujdes sepse është ai që bën dallimin. Por, edhe pse Liverpool është sigurisht klub i madh, do të doja të shihja Gerrardin në një klub të madh ndërkombëtar. Do të doja të shihja këtë edhe për Anglinë sepse është shumë interesante kur dikush shkon jashtë vendlindjes së tij dhe tregon se është në gjendje të bëjë dallimin edhe në një shtet të huaj”, deklaroi ish ylli i Milanit.
Ibrahimovic u shpreh i bindur se Gerrard do të paraqitej me sukses në ndonjë skuadër të madhe jashtë Anglisë.
“Për mua, një futbollist i mirë mund të bëjë dallimin në çdo shtet ku luan. Jam i sigurt se Gerrard do të mund ta bënte të njëjtën gjë. Tani ai është duke luajtur në njërën prej ligave më të mira në botë, është futbollist fantastik. Futbollist tipik anglez i fuqishëm dhe me zemër të madhe, gjithmonë agresiv dhe i cili nuk dorëzohet kurrë. Por, për mua Gerrard do të ishte edhe më i rëndësishëm në nivel ndërkombëtar nëse do të largohej nga Liverpooli. Ai ka më tepër aftësi se një futbollist i zakonshëm”, përfundoi Ibrahimovic.
Boshnjaku braktisi Suedinë më 2001 duke iu bashkuar Ajaxit, prej nga më pas shijoi sukses të madh në Itali, Spanjë dhe tani në Francë, ku ka përforcuar statusin e tij si njëri prej sulmuesve më të mëdhenj të gjeneratës së tij.
Mirëpo, këshillat e Ibrahimovicit nuk janë marrë parasysh nga Gerrard. Ylli anglez ka kaluar 14 vitet e deritashme të karrierës së tij në Anfield Road dhe ka insistuar se nuk ka ndërmend të ndërrojë mjedis.
“Jam adhurues i madh i Zlatanit, por nuk do të dëgjoj këshillën e tij. Jam në njërin prej klubeve më të mëdha në botë”, deklaroi Gerrard për të përditshmen britanike Metro.