Luftanijet ruse në Siri?

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një tanker rus ndodhet në portin Tartus që dhjetë ditë, porse “asnjë luftanije nuk është nisur me mision në Siri”.
I njëjti burim tha se tankeri Iman ndodhet aty për të ndihmuar parullat anti-pirateri në Gjirin Aden.
Agjencia siriane SANA citon burimet ushtarake t’i kenë hedhur poshtë raportet si pjesë e “fushatës së gënjeshtrave” kundër Sirisë.
Rusia ndryshe njihet si furnizuese e madhe me armë për shtetin sirian.
Ky i fundit është përfshirë nga protestat anti-qeveritare që në mars të vitit të kaluar. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 8,000 persona kanë humbur jetën në trazira.
Në anën tjetër, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka thënë se situata në Siri “është e papranueshme dhe e patolerueshme”.
Ai ka thënë se Siria “është bërë çështja më shqetësuese për komunitetin ndërkombëtar” dhe ka përsëritur thirrjet drejtuar regjimit sirian, që të lejojë qasjen e organizatave humanitare.
Ban ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë fundin e dhunës.
“Nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Ban, gjatë një vizite zyrtare në Indonezi.
Aleati i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Rusia, i është bashkuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në thirrjet drejtuar Sirisë, për dy orë armëpushim humanitar në ditë.