Luftë brenda LDK-së për postin e të parit të Prishtinës

Nuk është vendosur ende saktësisht se kur do të mbahen zgjedhjet lokale në vend, por fushata për to ka nisur herët. Lufta për fitore tashmë ka nisur edhe brenda vetë partive, ndonëse në mënyrë të heshtur.
Korab Sejdiu, i cili është përmendur si një nga kandidatët potencial për Prishtinën nga partia më e madhe opozitare në vend, LDK-ja, tashmë ka marrë përkrahje nga shumë delegatë të degëve.
Pos përkrahjes, Sejdiu tha për KTV-në se nuk ka ende diçka konkrete në këtë plan. Sejdiu nuk tregon nëse është i gatshëm ta pranojë kandidaturën, megjithatë thotë se po t’i jepet rasti do t’iu kontribuojë si shtetit, ashtu edhe qytetit të tij, Prishtinës.
Derisa dikush po përkujdeset të bëjë fushatë për Korab Sejdiun, kjo nuk është aspak në rregull për Ismet Beqirin, kryetar i degës më të madhe në kryeqytet. Beqiri, duke mohuar zërat se është folur për kandidatin e mundshëm, ka thënë se është kryesia e LDK-së ajo që do të vendosë për kandidatin dhe se, sipas tij, partia së cilës i takon ai nuk bën eksperimente për këtë çështje.
Pak ditë më parë në media është thënë se ish-këshilltari për legjislacion i ish-presidentit Fatmir Sejdiu, aktualisht avokati Korab Seidiu, parashihet të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e paralajmëruara për në vjeshtë./Indeksonline/