E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë me përbindësha dhe jashtëtokësorë

Kinemaja e animacionit ndër vite i ka ndryshuar karakteristikat e saj, duke lënë mënjanë tërësisht klishetë e vjetra e tashmë të largëta që më parë e cilësonin vetëm si "kinemaja për fëmijë". Kjo gjini është kthyer në terren prodhimtar kushtuar një publiku që nuk njeh moshë, që të argëton më të rriturit me batutat e goditura dhe që i bën të ndihen mirë më të vegjlit për shkak të personazheve simpatikë dhe që pa diskutim merr lejen e prindërve për shkak të mesazheve pozitive që transmeton. E kështu edhe filmi më i ri i prodhuar nga Dreamworks, "Përbindësha kundër alienëve", që shfrytëzon të gjithë potencialin e teknologjisë së fundit duke eksperimentuar versionin e ri në 3D, nuk bën përjashtim. Filmi i animuar ka nisur të shfaqet këto ditë në sallën numër 1 të kinemasë "Imperial" në Tiranë. Susan (personazh i cili është dubluar prej aktores Reese Whiterspoon) është duke u martuar: një minutë para dasmës, ajo hyn në kontakt me një meteor që i modifikon asaj kodin gjenetik, duke e kthyer në një vajzë gjigante, të gjatë 15 metra. E kapur në sytë e të ftuarve prej ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nusja dërgohet në një burg të sigurisë së lartë. Ndërsa Susan po provon të mësohet me dimensionet e saj të reja dhe provon të krijojë miqësi me katër krijesa të përbindshme, një shkencëtar i çmendur me kokë buburreci, një hibrid mes majmunit dhe peshkut, një masë xheli i pashkatërrueshëm dhe një larvë gjigante, një anije kozmike aliene zbret në planetin tonë dhe refuzon propozimet paqësore të Z. President duke larguar tutje komitetin mikpritës. E alarmuar nga prania e jashtëtokësorëve, qeveria i kërkon ndihmë gjeneralit Monger dhe repartit të tij të specializuar të përbindëshave. Do t‘u takojë pikërisht atyre me në krye Susan, heroinën e zakonshme në kushte të jashtëzakonshme të luftojë Galaxhar dhe ushtrinë e tij, duke shpëtuar tokën prej pushtimit të jashtëtokësorëve.

Papritmas, Susan e gjen veten në një botë të pabesueshme dhe shumë shpejt ajo do të detyrohet të tregojë aftësitë e saj më të mira, që as vetë nuk e dinte që i kishte në mënyrë që së bashku me miqtë e saj të rinj të përballë një sulm alien në mes të San Francisco-s: monstrat janë burimi i vetëm i ushtrisë amerikane për t‘u përballur me kërcënimin jashtëtokësor. E nëse monstrat (pavarësisht mosbesimit) rezultojnë më të përshtatshmit për t‘u përballur me këtë situatë, atëherë ata do t‘u prishin punë njerëzve, të cilët nuk do të bëjnë një figurë të mirë, sepse ata janë egoistë, ashtu si i fejuari i Susan, të paaftë dhe të ngathët si Presidenti i Shteteve të Bashkuara, luftëdashës ambiciozë si gjenerali i ushtrisë. Filmi i cili zgjat për 94 minuta vjen me regji të Rob Letterman dhe Conrad Vernon me subjekt të Michael J. Wilson. Aktorja amerikane, Reese Witherspoon, ka dubluar protagonisten Susan Murph, e cila quhet ndryshe Ginormica. Paul Rudd i ka dhënë zërin Derek Dietl, Hugh Laurie ka dubluar doktor Buburrecin, Will Arnett, Unazën Munguese, Seth Rogen personazhin e quajtur B.O.B, Kiefer Sutherland gjeneralin Monger, Stephen Colbert, Presidentin Hathaway dhe Rainn Wilson, jashtëtokësorin Gallaxhar. "Përbindëshat kundër alienëve" është filmi i parë që është xhiruar drejtpërdrejt në 3-D dhe nuk është konvertuar në post produksion nga Dreamwork dhe për këtë arsye buxheti i filmit ka shkuar në 15 milionë dollarë. Me daljen e "Monsters vs. Alien", të gjithë filmat e Dreamworks Animation do të shpërndahen në formatin 3D.

GINORMICA (Reese WITHERSPOON)

Një ditë, ndërsa po shkonte të celebronte dasmën e saj me meteorologun Derek Dietl, Susan Murphy goditet nga një meteor. Vajza e ëmbël transformohet papritmas në një përbindësh me një forcë të paimagjinueshme dhe me përmasa sa të një pallati pesëkatësh. Pavarësisht forcës dhe gjatësisë, Susan nuk e shikon veten si një përbindësh dhe kërkon dëshpërimisht t‘i kthehet jetës së qetë që bënte më parë. Ajo përfshihet në një seri ngjarjesh të jashtëzakonshme me përbindësha të tjerë.

DOKTOR PROFESOR BUBURRECI (Hugh LAURIE)

Gjatë një eksperimenti për t‘i dhënë të njëjtën jetëgjatësi si të Buburrecit, aparati i tij i tele-transportimit prishet. Për fat truri i shkencëtarit nuk pëson asnjë dëm, por mbetet i burgosur në trupin e një buburreci gjigant. Ai është një tip i rafinuar dhe mjaft tërheqës. Di të ndërtojë objekte gjeniale, siç ishte edhe aparati i tij i tele-transportimit që shpesh për fat të keq, ndodh të pësojnë apo të shfaqin efekte anësore.

GJENERALI MONGER (Keifer SUTHERLAND)

Për Gjeneralin e trashë dhe të Thinjur me emrin Monger, faktet flasin më shumë se fjalët dhe një sulm i armatosur mund të jetë më i nevojshëm se cilado strategji tjetër. Për të, përbindëshat e burgosur janë të pashpresë, por kur roboti i Galaxhar shkatërron të gjitha format mbrojtëse të vendit detyrohet t‘i lirojë duke shpresuar që gjithçka të shkojë mirë. Në fund përbindëshat fitojnë respektin e tij dhe ai respektin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›