Qelqet antike të Durrësit, në Selanik
Qelqet qindravjeçare të zbuluara në qytetin antik të Durrësit janë paraqitur në Kongresin e 18-të të Shoqatës ndërkombëtare të historisë së qelqit që u zhvillua këto ditë në Selanik. Në kongresin që u zhvillua në mjediset e Muzeut të Kulturës Bizantine morën pjesë 158 studiues, nga 30 vende të botës. Sasia më e madhe e qelqeve të zbuluara në Durrës i përket shek. III-II para erës sonë, si dhe periudhës pas pushtimit romak. Në inventarët e disa varreve të zbuluara në kohë të ndryshme bëjnë pjesë enë të ritualit mortor, shishe të parfumeve, gota, enë laboratori etj. Në kongresin e 18-të ndërkombëtar të Selanikut janë paraqitur 94 trajtesa studimore dhe 50 postera me rezultate shkencore nga e gjithë bota. Kongresi i ardhshëm do të zhvillohet në Slloveni.