“Luftë” mushkonjave, ISHP: Dezinfektim të vijës bregdetare
Grupi i ekspertëve të higjenës dhe institutit të shëndetit publik, kanë zbritur në Lezhë duke bërë dezinfektimin e ambjentit për të izoluar sëmundjet infektive që përhapen nga pickimi i insekteve. Për ekspertë të shëndetësisë, lufta me insektet nuk është e lehtë ndërsa vetë qytetarët e lagunave duhet të jenë më të kujdesshëm sa i përket kontaktit me mushkonjat dhe shpendët të cilat janë shkaktare të sëmundjeve infektive me pasojë vdekjeprurëse, si virusi i Nilit, ashtu edhe ai i etheve hemoragjike.
Në anën tjetër, Enver Roshi drejtori i ISHP thotë se duhet një bashkëpunim më i fortë me pushtetin lokal për të marrë masat e nevojshme.Por thirrja e mjekëve shkon edhe me ata që kanë restorante apo hotele në këto zona, nga ku duhet të bëhet dezinfektimi i bodrumeve dhe i ambjenteve të tjera. Sipas Roshit, rreziku më i madh që i kanoset popullatës nga këto dy viruse është neglizhimi i tyre. Ndaj, ai këshillon që për çdo simptomë, si temperaturë tejet e lartë e shoqëruar me ethe apo dhe me hemorragji në disa organe të trupit, duhet ti bind qytetarët t`i drejtohen urgjentisht bluzave të bardha.