Matura e vjeshtës, Vejsiu:Përfitojnë 6 mijë nxënës

Kanë mbetur më shumë se dy javë kohe që maturantët të rijapin edhe një herë provimet që nuk kanë kaluar gjatë sezonit të zakondshëm të maturës. Do të jenë 6.000 maturantët mbetës por në anën tjetër edhe ata që për arsye të ndryshme nuk kanë dhënë provimet e detyruara dhe me zgjedhje të maturës që do të përfitojnë nga vjeshta.
Duke ndarë kategoritë por në anën tjetër duke kërkuar nga maturantët kujdes në test, ekspertë të arsimit thonë se këto maturantë nëse marrin notë kaluese, kanë shansin të jenë në auditorin e universiteteve. Drejtori i politikave për arsimin parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Famtir Vejsiu thotë se në udhëzimin e veçantë të Ministrit Tafaj, do të përfitojnë pa kufizime edhe ata nxënës që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, por që universitetin duan ta nisin në Shqipëri.
Sipas kalendarit te datave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, behet e ditur se ritestimi për mbetësit në gjuhë shqipe dhe letërsi do të zhvillohet më 9 shtator.
Ndërsa për matematikën, mbetësit kanë një tjetër shans për të marrë notë kaluese në testimin që do të zhvillohet më 13 shtator, si dhe për lëndët me zgjedhje është përcaktuar data 17 shtator 2011.