Luftë në mes të rrugës, dy të vdekur
Shkodër, Ton Ulaj e Gjergj Shotaj kanë nisur të qëllojnë njëri-tjetrin në mes të rrugës duke mbetur të dy të vdekur
SHKODËR- Dy persona kanë gjetur vdekjen mbrëmjen e djeshme në Shkodër pas një konflikti me armë mes tyre. Ton Zef Ulaj dhe Gjergj Shotaj janë dy njerëzit që kanë gjetur vdekjen nga plumbat e njëri- tjetrit ndërkohë që një person i tretë ka mbetur i plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 23.00 të natës së djeshme në fshatin Bratosh të Malësisë së Madhe dhe policia nuk ka mundur ende që të japë një version zyrtar në lidhje me vrasjet.Një prej viktimave ishte i kërkuar nga policia pasi ishte dënuar me dhjetë vjet burg nga Gjykata e Apelit Shkodër.
***
Nga dëshmitë e para të mbledhura nga policia lokale është mësuar se pasditen e djeshme, Ton Zef Ulaj dhe Gjergj Shotaj ndodheshin në të njëjtin lokal duke pirë. Ata ishin shokë prej kohësh dhe në tavolinë me ta ndodheshin edhe persona të tjerë. Rreth orës 22.50, Ulaj, Shotaj dhe një person tjetër nga tavolina e tyre janë ngritur nga lokali për të shkuar në shtëpi. Por sapo kanë dalë jashtë lokalit ata kanë nisur që të zihen me njëri- tjetrin. Pasi kanë ecur rreth dhjetë metra nga lokali, pranë një lapidari, të dy kanë nxjerrë pistoletat dhe kanë filluar të qëllojnë. Dëshmitarët okularë pohuan dje në mbrëmje për policinë se Ulaj dhe Shotaj janë qëlluar nga plumbat e tyre dhe kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë personi i tretë që ndodhej me ta ka mbetur i plagosur. Ai është hipur në një makinë dhe është dërguar me urgjencë në spital. Personat e tjerë që ndodheshin në lokal kanë marrë në telefon policinë dhe kanë treguar ngjarjen. Uniformat blu kanë mbërritur disa minuta më pas në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarët okularë. Ndërkohë, hetuesit kanë shkuar në spital për të marrë dëshminë e të plagosurit por ai ndodhej në sallën e operacionit. Deri në mesnatë policia nuk ka mundur që të marrë dëshminë e tij.
***
Ton Ulaj ka qenë person në kërkim nga policia, i rishpallur si i tillë pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkodër, e cila e kishte dënuar me 10 vjet burgim duke e deklaruar fajtor për vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim. Ai ishte akuzuar për një ngjarje të ndodhur më 14.04.2005 dhe ishte ndaluar nga policia më 29.5.2005. Por pas qëndrimit në paraburgim, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e kishte deklaruar të pafajshëm dhe ai ishte lënë i lirë. Bashkëpunëtori i Ulajt në vjedhjen me armë ka qenë kushëriri i viktimës tjetër të natës së djeshme, Gjergj Shotaj.