E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trupi i një 35-veçari gjendet poshtë mbikalimit

 

Kufoma e Altin Hoxhës është zbuluar nga kalimtarët. Babai i dy fëmijëve të mitur ishte zhdukur dy ditë më parë

Pistat e para të policisë për ngjarjen janë vrasja me sende të forta ose një aksident me makinë

TIRANË- Gjendet trupipa jetë i një 35-vjeçari, pranë kthesës së Kasharit në autostradën Durrës-Tiranë. Viktima është identifikuar si shtetasi Altin Hoxha dhe ekspertët e mjekësisë ligjore kanë pohuar paraprakisht se ai është vrarë me sende të forta prerëse por ekspertiza përfundimtare pritet që të dalë pak ditë më pas. Ndërkohë. burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë se nga këqyrja e trupit të viktimës rezulton se ai ka marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit të cilat i kanë shkaktuar vdekjen. Policia po heton ngjarjen në dy pista, atë të vdekjes aksidentale dhe të vrasjes. Nga hetimet e para policia u shpreh se dyshohet për një vrasje të mundshme. Viktima ka qenë duke u kthyer në banesën e tij në orët e vona të mbrëmjes kur dyshohet se mund të jetë përballur me persona të panjohur të cilët e kanë goditur me mjete prerëse duke i shkaktuar atij vdekjen.

Ngjarja

Rreth orës 6:00 të mëngjesit të djeshëm, policia e Tiranës është njoftuar se një kufomë ndodhej në autostradën Durrës-Tiranë, pranë kthesës së Kasharit, poshtë mbikalimit të këmbësorëve. Menjëherë forcat e policisë mbërritën në adresën e dhënë nga një kalimtar i rastit për të verifikuar informacionin. Policia ka gjetur trupinpa jetë të një 35-vjeçari i cili pak orë më vonë u mësoi dhe identitetin e tij. Bëhet fjalë për 35-vjeçarin Altin Hoxha babai i dy fëmijëve të mitur, me banim në Kashar. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezultoi se Hoxha dy net më parë kishte qenë në një lokal me të njohur të tij ku kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli. Më pas ai po kthehej për në banesën e tij në gjendje të dehur, por nuk ka mundur të mbërrijë në shtëpi, pasi në rrethana ende të paqarta ai ka gjetur vdekjen gjatë rrugës.

Hetimi

Policia ende nuk ka mundur të saktësojë zyrtarisht nëse 35-vjeçari Altin Hoxha ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti apo është vrarë nga persona të panjohur. "Do të jetë ekspertiza e mjekësisë-ligjore ajo që do të përcaktojë shkakun e vdekjes së Hoxhës. Nga këqyrja e trupit të tij dallohen qartë plagë të shkaktuara nga mjete prerëse por mjekësia-ligjore do të thotë fjalën e fundit nëse është vrarë apo është aksidentuar Altin Hoxha",- thanë për "Shekullin" burime nga policia. Kjo e fundit ka marrë në pyetje familjarët e të ndjerit të cilët kanë deklaruar se nuk kanë hasmëri apo konflikt me persona të ndryshëm as familjarisht dhe as Hoxha personalisht. Sipas familjarëve, 35-vjeçari konsumonte shpesh pije alkoolike ashtu si edhe pak orë para se të gjendej i vdekur. Hoxha punonte bashkë me të vëllanë në një subjekt privat pronë e tyre. Ndërkohë policia bëri me dije se paraprakisht ngjarjen e kanë cilësuar si vrasje, megjithatë çështja është nën hetim. Deri në orët e vona të mbrëmjes, në polici janë shoqëruar disa persona për të cilët grupi hetimor dyshonte se kishin dijeni për ngjarjen, por pasi janë marrë në pyetje ata u lanë të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›