E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftëtari, fitorja me Besën është detyrim

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Gjirokastritët nuk duhet të merren me atë që ndodhi në Burrel, sepse në prag është sfida me kavajasit, që duhet fituar patjetër

Kanë mbetur edhe 7 ndeshje deri në fund të kampionatit dhe Luftëtari do të luajë herë në Gjirokastër dhe 3 herë jashtë saj, duke e nisur me pritjen që do ti bëjë Besës. Kjo është ndeshja e tij e fundit me ekipet me histori, që luajnë këtë sezon në kategorinë e parë, pasi me Elbasanin dhe Lushnjën i ka mbyllur llogaritë. E pret Besen, duke pasur 11 fitore radhazi në fushën e tij, ndërsa ajo në transfertë ka 5 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje.

Në fazën e parë dueli në Kavajë ka përfunduar 1-1 dhe në përballjen e re këto ekipe vijnë me humor të ndryshëm. Luftëtari pësoi humbjen më të thellë këtë sezon në Burrel, ku u mund 2-0, kurse Besa fitoi 1-0 në fushën e saj me Besëlidhjen. Ishte humbja e 4-t për Luftëtarin dhe tashmë diferenca me ndjekësit më të afërt është ngushtuar në 3 pikë me Kukësin dhe 5 me Besën.

Kështu, kuptohet qartë se përballja Luftëtari-Besa është tepër delikate, aq sa vërtet merr përmasat e një finaleje. Luftëtarit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të mos e mendojë humbjen e fundit dhe ndodhitë e saj, pra të mos merret me arsyet pse ndodhën këto, sepse nuk premton koha për një gjë të tillë.

Duhet përqendrim për ndeshjen e re, duke kujtuar se në fushën e tij nuk e ka mposhtuar asnjë ekip që ka ardhur në Gjirokastër, ndaj dhe Besa nuk ka arsye pse te ketë një fat më të mirë, edhe pse është ndër kundërshtarët më të fortë të kësaj kategorie. Luftëtari nuk ka pse të trembet, sepse 11 me 11 do të luajnë, aq më tepër që ndeshja do të bëhet në fushën e tij dhe dihet se në shumicën e rasteve fusha është faktor favorizues për vendësit.

Përvoja Depresioni që mund të ketë lindur nga humbja e ndeshjes dhe të natyrave të tjera në Burrel, për një ekip që ka udhëhequr kampionatin edhe me 9 pikë diferencë, duhet të sfumohet sa më shpejt. Luftëtari ka jo pak lojtarë me stazh të gjatë futbollistik, sikundër janë Devolli, Nora, Sinani, Bistri, Braho, Gaxhaj, Strati, Zholi dhe Brahimi, por edhe më të rinjtë, siç janë Selimaj, Ramadani, Raboshta, Baci, Mersini, Çaco, Hithi dhe Lluka.

Të gjithë kanë energji për të nxjerrë një ndeshje të mirë, sipas formacionit të stafit, dhe të marrin 3 pikët me luftë të fortë sportive. Këtë duhet të bëjë ekipi, sepse, sido që të dalin rezultatet e ndeshjeve te tjera, duhet të qëndrojë në krye, të paktën, me 3 pikë diferencë. Për ndeshjen me Besën tifozët gjirokastritë duhet të mbushin sa më tepër shkallët e stadiumit për ta përkrahur ekipin e tyre, që me siguri do të dijë të shpalosë vlerat e tij. Triumfi i 12-të në stadiumin Gjirokastra është detyrë për Luftëtarin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›