E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja do një fitore për tifozët ndaj Burrelit

Nga Julian Kasapi

Verdhejeshilët kanë lënë pas suksesin e Sarandës dhe tani mendojnë vetëm për 3 pikët e radhës ndaj skuadrës matjane

Skuadra e Lushnjës e ka kaluar lehtë ndeshjen me Butrintin në fushën e këtij të fundit. Verdhejeshilët kanë shënuar 3 gola për të marrë 3 pikët, duke mos pësuar asnjë. Edhe pse skuadra e drejtuar nga trajneri Saimir Malko ka mbetur në të njëjtat pozita në tabelën e klasifikimit, fitorja e fundit ka vlera të mëdha. Përveç 3 pikëshit, ka përmirësuar edhe moralin, sepse është bërë kthesa pas një ndeshjeje jo të mirë në fushën e Elbasanit.

Lushnjarët e kanë kërkuar që në fillim golin dhe e kanë gjetur pas 12 minutash, kur Sefa ka shënuar pas harkimit të Sulos. Edhe mbrojtësi Xhafa ka bërë të njëjtën gjë pak minuta më pas, duke devijuar saktë me kokë në shtyllën e dytë topin e ardhur nga goditja e këndit.

Me avantazhin e dy golave, Lushnja e ka pasur më të lehtë ta administrojë ndeshjen. Në pjesën e dytë ajo ka lëshuar pe, por jo sa për ta vënë në rrezik rezultatin, madje ka shënuar edhe një gol të tretë me mesfushorin Topi, pas krosimit të Gentian Çelës.

Burreli Kështu, myzeqarët mbeten në koherencë me skuadrat rivale. Nga ana tjetër, ngjeshja e kampionatit ka bërë të vetën, por lushnjarët po e presin me qetesi sfidën e së shtunës me Burrelin në stadiumin Roza Haxhiu. Fazën e parë ata kanë fituar me shumë mund e djersë në Burrel, si për shkak të gjykimit, ashtu edhe për shkak të  ndërhyrjeve të rënda të kundërshtarit.

Të shtunën luhet në Lushnjë, ku këtë radhë skuadra lushnjare duhet tia dalë pa tifozët e saj. Komisioni i disiplinës e ka dënuar me një ndeshje pa tifozë Lushnjën, sepse trajnerit Nevil Dede të Luftëtarit iu hodhën sende të forta në momentet kur ai debatonte me tifozërinë lushnjare.

Dede i ka irrituar dhe nervozuar tifozët në mënyrë spektakolare, por komisionet e disiplinës asnjëherë nuk i kanë dënuar trajnerët rrugaçë, që kanë ofenduar publikun lushnjar.

Megjithatë, skuadra lushnjare vjen në këtë takim pas një fitoreje të rëndësishme në transfertë dhe e vetmja alternativë për të është tripikëshi i radhës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›