E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufthansa duhet ta shtrëngojë më tepër rripin

Çmimet e larta të kerozinës dhe rënia e numrit të pasagjerëve, të cilëve për shkak të recesionit që po kërcënon mbarë botën, u ka rënë dëshira për të udhëtuar, po u krijojnë probleme të mëdha të gjitha shoqërive ajrore.

Krilla, me krahët e saj të gjatë dhe me aftësinë për të fluturuar pa pushim deri në 2.000 km, ishte që në mitologjinë greke simboli i zgjuarsisë dhe vigjilencës. Pikërisht për këtë ky zog u përzgjodh si logo e Lufthansës.

Zgjuarsia dhe vigjilenca i karakterizoi për vite me radhë edhe veprimet e krerëve të shoqërisë ajrore Lufthansa. Kryesia e saj kishte lidhur paraprakisht kontrata për çmimet e kerozinës dhe për këtë e kaloi pa probleme fazën drastike të ngritjes së çmimeve të naftës gjatë viteve të fundit.

Po tani kur çmimet e naftës dhe të kerozinës kanë rënë sërish, lidhja e kontratave afatgjata, po rezulton si hap jo i menduar sa duhet, sepse aktualisht Lufthansës i duhet të paguajë më tepër sesa është çmimi i tregut.

Por ky është njëri prej shkaqeve se pse koncerni i Lufthansës nuk po e mban dot më kursin e fitimeve. Sipas shefit të këtij koncerni, Wolfgang Mayrhuber: "Kriza ka arritur edhe te ne, gjithsesi me një lloj vonese, dhe falë përbërjes strategjike të koncernit nuk po na prek me të gjithë fuqinë e saj".

Të gjitha firmat duhet të kursejnë dhe për këtë punonjësit e tyre nuk fluturojnë në kategoritë 'first' apo 'business'. Po ashtu, edhe shoqëritë e lira ajrore si Easyjet apo Ryanair i konkurrojnë dhe i luftojnë shoqëritë e tjera ajrore me çmime dumpingu, duke shënuar në këtë mënyrë fitime.

Lufthansa nga ana tjetër po vë re edhe se njerëzit kursejnë sa u përket pushimeve. Bukur nuk është vetëm në Tajlandë, por edhe në Gjermani dhe pushimet këtu kushtojnë më pak.

Për këto shkaqe Lufthansës i duhet t'i zvogëlojë planet e saj për zgjerim. Për vitin e ardhshëm planifikohet të blihen 53 avionë të rinj, por njëkohësisht do të nxirren nga përdorimi 53 të tjerë, edhe pse në fakt nuk janë amortizuar sa duhet. Nga ana tjetër, po për vitin 2009, Lufthansa pritet të blejë shoqërinë ajrore britanike BMI, Eurowings dhe ndoshta Austrian Airlines. Spekulime ka edhe për blerje aksionesh te shoqëria ajrore italiane Alitalia dhe ajo skandinave SAS.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›