E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i progresit ose “Po, ne mundemi!”



Në javën që sapo lamë pas, optimistët, pesimistët, por edhe skeptikët patën rastin të shpalosnin pikëpamjet e tyre për dy nga ngjarjet më të komentuara në botë dhe Shqipëri, që përkuan në të njëjtën ditë: Fitorja historike e Presidentit të parë me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, dhe publikimi i raportit të progresit të vitit 2008 për Shqipërinë.

Në dukje, pa një fill lidhës me njëra-tjetrën, këto ngjarje tërhoqën të gjithë vëmendjen e opinionit, kjo edhe falë medias që i transmetoi ato gjerësisht. E nëse për të parën komentet u lidhën me përmbushjen e ëndrrës së shqiptuar drithërueshëm nga Martin Luter King dhe me thirrjet e mbështetësve të Obamës “Po ne mundemi!”, për ngjarjen e dytë shumë komente u vërtitën rreth shprehjes së ambasadorit të KE-së në Shqipëri, Helmut Lohan, “gota është gjysmë plot e gjysmë bosh”.

Duke mos dashur t’i shtohem morisë së atyre që komentuan këtë cilësim, do të ndalem në një tjetër pohim të ambasadorit Lohan që më bëri veçanërisht përshtypje. Si një diplomat, i cili nuk ia lejon vetes të bëjë komente “të tepërta”, ambasadori Lohan me shprehjen e mësipërme u distancua nga pesimistët e optimistët duke u lënë atyre hapësirë për të komentuar secila palë në këndvështrime të ndryshme, kryesisht të karakterit politik.

Por ambasadori Lohan, duke dalë përtej asaj që deklaroi në konferencën me Kryeministrin Berisha, në takimin me median, pasditen e 5 nëntorit, pas këtij cilësimi shtoi se “...megjithatë, gota është më shumë e mbushur”.

Po pse e bëri këtë diplomati Lohan? Ndjesia ime është se ai e bëri këtë, veç perceptimit të fakteve të qarta të renditura në raport, edhe sepse ai jeton në Shqipëri. Ai jeton në këtë vend, ai ka kontakte me realitetin, ai arrin të perceptojë përtej të zezës mbi të bardhë.

Shqiptarët, ashtu si edhe zoti Lohan e të tjerët në Bruksel e përtej, e kanë kuptuar diferencën e thellë me kohën kur, deri para pak vitesh, kupa ishte e përmbysur.

I ndërgjegjshëm se komentet do të ishin të shumta, ambasadori shtoi se veçanërisht për sa i përket korrupsionit, “gjuha ka ndryshuar”.

Dhe këtë zoti Lohan e tha si përfaqësues i BE-së në Shqipëri. Referuar jo vetëm raporteve të 2004-ës apo 2005-ës, por edhe duke “kapërcyer vetveten”, siç thotë Niçe, e duke iu referuar raporteve të 2006-ës e 2007-ës, gjuha ka ndryshuar, që do të thotë, perceptimi për korrupsionin në Shqipëri ka ndryshuar, jo vetëm këtu, por edhe në Bruksel.

Megjithatë, si pesimistët, ashtu edhe optimistët kanë pohuar se mbetet shumë për të bërë, se probleme ka, se ende kemi sfida përpara. Dhe kjo për një demokraci vetëm 17-vjeçare si Shqipëria mendoj se është e kuptueshme. Do t’i quaja jorealistë ata që pretendojnë të kundërtën dhe jo ata të cilët u gëzohen progresit, që nga ai i kufizuari e deri tek ai i theksuari.

Duke mos dashur të bëj analizën e raportit, analizë që u bë gjerësisht gjatë javës që shkoi, do të thosha që është e qartë se siç thotë raporti, një numër i konsiderueshëm ligjesh të rëndësishme janë miratuar në Parlament, megjithatë kryesisht reforma elektorale (edhe pse rezulton me progres në raport), reforma në gjyqësor dhe çështja e kufizimit të imuniteteve janë reforma tashmë të nisura, dhe politika (Zoti u dhëntë vullnet e pjekuri!) mund t’i përmbyllë shumë shpejt.

Jo e pamundur, por e vështirë është lufta kundër korrupsionit. E vështirë, sepse të çrrënjosësh një sistem të mirëfilltë kleptokratik nuk është kurrë e lehtë. E vështirë sepse kërkon që të gjithë të përfshihen. E vështirë sepse ka qenë dhe mbetet e tillë edhe për demokraci më të zhvilluara se ne. Por “gjuha ka ndryshuar”, pra vullnet dhe rezultate ka.

Raporti i progresit tregoi se ajo që dukej e vështirë, ajo që dukej e pamundur të realizohej brenda një periudhe të shkurtër, po realizohet duke vërtetuar se “Po, ne mundemi!”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›