E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shosha, dielli dhe kulturëhanja

Të nderuar lexonjës, ky opinion imi është paksa i vonuar, një shkrim që llafos një ndodhi të jetuar në një vend që është shumë i vockël, por me shumë marrëzira, një vend që karakterizohet me një “aksham Pazar” oriental politik, filozofik, social, kulturor, shovinist, demokratik, biblik, ilirik, irredentist, asimetrik, disharmonik etj. Është një pazar ku vetëm zhurmaxhinjtë mund të mbijetojnë, ndërsa atyre që nuk e kanë këtë aftësi, u mbetet të pastrojnë mbeturinat. Rrugëtari “jabanxhi” që rastis në këtë pazar do të krijojë përshtypjen se ky treg i ngjan një lavamani të mbushur me enë, lugë dhe piru të palarë, një pazar ku mund të blesh edhe shpirtra të vjedhur të njerëzve të mëdhenj, që dikur flisnin për ideale (jo për ideale të sëmura), një pazar ku shiten edhe mallra me afate të skaduara që, çuditërisht, nuk dëmtojnë shëndetin e mendjes. Të gjithë blejnë në atë pazar dhe, askush nuk “sikletoset” e nuk bënë përpjekje t’i japë shpjegim pyetjes: pse blerësve u ofrohen vetëm mallra vendorë, pse kostoja e tyre është e lartë dhe, në instancë të fundit, kush i nxjerr në “tezga”?! Që të blesh në të duhet paraprakisht të jesh një i divorcuar dhe i konvertuar politik, sepse, po që se bën të vetmen përpjekje për të kërkuar kritere, standarde, rregulla dhe çka jo tjetër, konsiderohesh si person i padëshirueshëm. Ditë më parë, në tregun e lartpërmendur politik të Shkupit, do të ngjajë një skandal, “spektakolar dhe i jashtëzakonshëm”, siç do të thoshte një miku im, i cili reagimet i ka konstruktive, por të vonuara. Sipas meje, kjo ndodhi nuk mund të jetë aq e jashtëzakonshme, sa është e veçantë trashëgimia dhe vazhdimësia e saj. Konkretisht, Ministrja “e sajdisur” për Kulturë, zonja apo zonjusha Kamçeva, që ka të veshur një kostum politik dhe hileqar, një ministreshë, që për bëmat e saj do të përgjohet nga shqiptarët, do të pandehë, që me një urdhëresë të porositur të lidershipit të saj dhe, jashtë çdo procedure ligjore do të krijojë “Këshillin Drejtues (lexo: nacional) për Kulturë”. Formimi i këtij këshilli duhet të jetë një provokacion i radhës, një trup i përbërë prej 13 anëtarëve me profesione nga më të ndryshmet, si: politikanë, akademikë, poetë, aktorë, ish-druvarë, berberë, opinionbërës, si dhe nga njerëz që janë specialistë për të shtrembëruar dhe lakuar historinë dhe kulturën shqiptare, gjegjësisht njerëz që shkelin mbi vullnetin e një populli. Ishte një vendim e ministres që paraprakisht nuk shkoi në votë. “Fatkeqësisht”, në kuadër të kësaj sintagme do ketë karrige vetëm për një shqiptar! Mungesën e shqiptarëve në tryezën e këtij institucioni, ajo do ta “arsyetojë me provën se ky institucion i kulturëhanes nuk duron prezencën e njerëzve që kanë fjalor konfliktual, njerëzve me alfabet të ndotur politik”, njerëzve që do të jenë dëshmitarë të shpërdorimit të pasurisë së institucionit në fjalë, njerëzve që mund të rrënojnë themelet e komunikimit racional, njerëzve “fukarenj”, që vazhdimisht shtrijnë dorën për të kërkuar pak, ndoshta fare pak lëmoshë për të mbrojtur integritetin e kulturës së tyre të robëruar, si ajo, jeta e robëruar e IKARIT dhe babait të tij në ujdhesën e Kretës. Thjesht, përralla e saj gjëmon “sukseset” e saj dhe funeralin e pafundmë të shovinizmit konsensual, përkundër kërkesave të shqiptarëve që gjëmojnë parimin e barazisë qytetare (çfarë domethënie ka nocioni: “barazia qytetare”?!).

Të nderuar lexonjës, këtu po e mbyll paragrafin “nga frika se mos po e prish...” opinionin e lartpërmendur dedikuar ministres për Kulturë, por nuk mund ta kursej dufin pa i thënë se: NUK MBULOHET DIELLI ME SHOSHË!

Tek e shkruaj këtë shkrim më vete mendja te gjyshërit dhe prindërit tanë dhe llafet e tyre, kur thoshin se armiku më i madh i shqiptarëve është ndasia e tyre. Dhe po qe se kjo është e vërtetë, atëherë pse inatosemi karshi mosprezencës sonë në sintagmën e ministres. Prezenca jonë do të mungojë derisa neve do të na mungojë uniteti, që një i tillë na ka munguar gjatë gjithë historisë sonë.

Të nderuar lexonjës, hajt, tashti të akuzojmë vetveten. Më thoni se në cilin eveniment kulturor ishim tok? Mos vallë ishim tok në evenimentin kulturor karshi inaugurimit të përmendores të Skënderbeut në Shkup? Gjithsesi jo, dhe kjo do gjejë mbështetje në arsyetimin tejet qesharak: Skënderbeun në Shkup e solli “x” parti politike! Ose ndoshta ishim tok atë ditë në kryeqendrën e shtetit, kur u bë përurimi i Institutit (“Pjetër Bogdani”) për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve! Edhe kjo nuk ndodhi, por që do ta ketë të njëjtin arsyetim qesharak: ky institut u ndërtua nga “x” parti politike shqiptare, një institut që nuk dallon prej një kioske gazetash?! Në cilat protesta (shqiptare) ishim tok? Në asnjërën. A mos vallë ishim grumbull në përcjelljen e fundit të luftëtarit tonë të paepur? Unë, personalisht nuk e mbaj mend?! Apo kush me kë shkoi në varrimin e njeriut varfanjak? Mos vallë ishim tok në atë ditën e shenjtë kur u zyrtarizua Universiteti Shtetëror i Tetovës? Kush më thotë, se vallë shqiptarët në këtë mot (nuk) do jenë tok në manifestimin e shënimit të 100-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit? Ah, sa e drejtë dhe fisnike është kjo ide për të qenurit tok, sa që nuk mund të besosh? Dhe, nëse s’është kështu atëherë le të më ofrojë njeri, një të vetmin argument se është ndryshe. Unë që tash e di se në 40-vjetorin e Demonstratave të Tetovës, shqiptarët nuk do të jenë tok?! A e dini pse nuk do të jenë tok? Sepse nuk e durojnë dot “kallaballëkun”, nuk durojnë ta shikojnë “surratin” e njëri-tjetrit. A mos vallë edhe këtë fundvit respektivisht në ditën e Babait të kombit, Ismail Qemal Bej Vlorës, më 28 nëntor 2008, do të grumbullohen shqiptarët? Kush thotë: po, ai do t’u tregojë fëmijëve përralla. Me këtë nuk do të thotë se edhe në të ardhmen do të mungojnë manifestimet tona kulturore. Përkundrazi, ato do të organizohen ndaras, të parët në shehër, kuptohet në nivel qendror, të dytët në nivel vendor - në fshat, të tjerët në hapësirat e principatave të tyre politike, në... dhe kështu toptan do të tallemi me kujtesën tonë kolektive. Punë dreqi! Kësisoj siç jemi, atëherë çka duhet të kërkojmë në “sintagmën kulturore” të ministres për Kulturë, nëse jo vetëm për t’i ndarë paratë... Po të ishte ky tregim i vërtetë, atëherë pse e skllavërojmë unitetin tonë. Pse gjithë këto “siklete dhe insistime” për të qenë pjesë e këshillit drejtues kur ne, në mungesë të “këllqeve”, nuk jemi në gjendje të formojmë një të tillë në avllinë tonë kulturore. Kush na detyron ta shtrembërojmë retrospektivën dhe perspektivën tonë kulturore? Unë e di se evenimentet kulturore nuk bëhen pa para, por ama nuk mund të ndërtohen dhe afirmohen në emër “të vokacionit folklorik, patriotik dhe politik” diku në kryeminderet e zyrave të partive politike deri në fund të inatosura shqiptare, diku në ndeja, kafeteri, çajtore e gjetiu.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›