Luftime të ashpra Libi, 13 të vrarë gjatë orëve të fundit

Në Libi, luftimet midis kryengritësve dhe trupave të pushtetmbajtësit Muammar al-Gaddafi janë duke u transferuar gjithnjë e më shumë në perëndim të vendit. Sipas të dhënave të rebelëve, dy ditët e fundit ka patur luftime të ashpra për të mbajtur qytetin e rëndësishëm strategjik Saëija, në afërsi të Tripolit. Gjatë orëve të fundit janë vrarë 13 kryengritës dhe civilë, bëri të ditur një përfaqësues i rebelëve. Për shkak të luftimeve është bllokuar transporti ujor midis Tripolit dhe Tunizisë. Ndërsa qeveria libiane deklaroi, se nuk ka patur luftime të mëdha në Saëija. Televizioni arab Al-Xhasira, njoftoi për sulme të rebelëve mbi trupat e regjimit midis Jafranit, rreth 100 km në veriperëndim të kryeqytetit, dhe Sintanit. Mediat raportojnë se 7 kryengritës antiqeveritarë kanë humbur jetën pas luftimeve të ashpra mes kryengritësve dhe forcave të Gheddafit në një zonë në afërsi të kryeqytetit Tripoli. Po sipas këtij burimi, por edhe sipas të dhënave spitalore në qytetin Zenden, nga luftimet mbetën të plagosur edhe 49 persona të tjerë. Forcat qeveritare të kolonel Gheddafit ndërmorën një sulm të papritur ndaj kryengritësve me raketa të tipit Grad Katiusha dhe predha Milan. Sulmi ndodhi pak kilometra larg qytetit Zenden, zonë që kontrollohej prej shumë kohësh nga kryengritësit. U raportua se një automjet me 4 kryengritës u hodh në erë pasi u gjuajt me predha Milan në fshatin Riana, 12 kilometra larg qytetit Zenden. Si pasojë, 4 personat që ndodheshin aty pranë, gjetën vdekjen. Burime spitalore thonë se 6 kryengritës të tjerë gjetën vdekjen gjatë luftimeve me forcat e Muammar Gheddafit në Mizurata, edhe ky qytet i kontrolluar nga kryengritësit.