Luftimet në Sudan/ Palët ndërluftuese bien dakord: Nga 4 maji, armëpushim 7-ditor

Palët ndërluftuese në Sudan kanë rënë dakord për një armëpushim shtatë-ditor duke filluar nga 4 maji. Ministria e Jashtme në Juba bëri të ditur lajmin pas një bisedë telefonike me presidentin e Sudanit të Jugut Salva Kiir.
Në Sudan kjo shihet si shenjë për t’i dhënë fund gjakderdhjes disajavore. Shefi i ushtrisë sudane Abdel Fattah al-Burhan dhe zëvendësi i tij i kthyer në rival, Mohamed Hamdan Daglo, i cili komandon Forcat e Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake, “kanë rënë dakord në parim për një armëpushim shtatë-ditor nga 4 deri më 11 maj”.
Qindra njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të plagosur në luftime, ndërsa sulmet ajrore dhe shkëmbimet e artilerisë kanë goditur zona të Khartoum-it duke shkaktuar eksodin e mijëra sudanezëve për në vendet fqinje.
Gjithashtu, të dyja palët kanë rënë dakord të emërojnë përfaqësuesit e tyre në bisedimet për paqe, transmeton Africa News.
Kiir ka foluar me Burhan dhe Daglo si pjesë e një nisme nga blloku rajonal i Afrikës Lindore (Autoriteti Ndërqeveritar për Zhvillim), i cili ka bërë presion për t’i dhënë fund luftimeve, duke i bërë jehonë thirrjeve nga Bashkimi Afrikan dhe komuniteti ndërkombëtar.
/rtsh.al/