E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Misioni i Papës për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, Kremlini: S’jemi në dijeni

Kremlini zyrtar ka bërë të ditur se nuk është në dijeni të ndonjë misioni të planit të paqes të Vatikanit në zgjidhjen e konfliktit me Ukrainën.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin ka theksuar para gazetarëve se Kremlini nuk është në dijeni të kësaj përpjekjeje të Vatikanit.

 “Jo. Ne nuk dimë asgjë për këtë” tha Peskov.

Një zyrtar ukrainas i afërt me zyrën e Presidentit Volodymyr Zelensky është shprehur gjithashtu se Kievi “nuk ka dijeni” për një mision paqeje që përfshin Vatikanin.

“Presidenti Zelensky nuk ka pranuar ndonjë diskutim të tillë në emër të Ukrainës. Nëse bisedimet po ndodhin, ato po ndodhin pa dijeninë tonë apo bekimin tonë”, ka theksuar zyrtari ukrainas.

Këto komente vijnë pasi Papa Françesku tha para gazetarëve se Vatikani është pjesë e një misioni për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Misioni është në vijim e sipër, por nuk është bërë ende publik” tha ai pas një udhëtimi tre-ditor në Hungari.

“Kur të jetë publike, do ta zbuloj”, shtoi Papa.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›