E Diel, 1 Nëntor 2026

Luigj Gurakuqi, themelues i shtetit shqiptar

WILLY KAMSI

Faktorët themelorë që formojnë dhe ravijëzojnë figurën e nji politikani me peshë e randësí në jetën e nji kombi, kanë qenë, janë e do të jenë po ata faktorë që qenë elementa themelorë në jetën e nji të Madhi të Vendit tonë, i cili u bâ simboli mâ në shêj në jetën politike të Shqipnisë së posarilindun, mbas shembjes së Perandorisë Osmane. Faktorët për të cilët po bâjmë fjalë janë: féja, familja e shkolla.  Asnjeni prej këtyne nuk mund të qëndrojë i veçuem, por, në nji harmoní të shkëlqyeshme, secili sish duhet të marrë pjesë në formimin e asaj rinie që, tue u burrnue, ka me marrë në dorë të ardhmen e Vendit dhe, me vlerat e veta morale, ka për të qenë e aftë ta çojë para atê drejt asaj Europe tek e cila na, sot, tue e pá si shtëpinë tonë, synojmë me kaq afsh.
Po qe se përshkojmë jetën e Luigj Gurakuqit, qysh prej atij 19 frori të 1879-s (qe pagëzue ditën e nesërme më 20, që nganjiherë merret gabimisht si datë e lindjes) dhe deri në çastin e kobshëm të vrasjes më 2 mars 1925, do të shohim se qe nën ndikimin e po atyne mësimeve të para që mori në zulmëmadhen Kolegjë Saveriane të Shkodrës.
Këtu mori njiheri ato mësime fetare, që i dhanë formimin moral që do ta dallonte në krejt jetën e tij, por edhe ato dituní që do ta shquejshin qysh në moshën mâ të ré. Ato mësime do tishin themeli moral e shpirtnor i krejt jetës së tij, sikurse edhe i shokëve të tjerë të asaj shkolle, e cila i ka dhanë aq shumë njerëz të formuem e të përgatitun Vendit tonë.
Mjafton me pá në regjistrat e asaj Kolegje, tek emni i tij, për me pá se me sa zell i ndiqte studimet, dhe notat që kishte marrë ishin dishmitaret mâ kuptimplote të cenës së diftueme prej tij. E vetmja notë, për të gjitha landët, e në të gjithë vjetët që ndoqi atë shkollë, ishte (1) njishi, nota mâ e naltë, sikurse sot âsht (10) dheta, por duhet dallue se natë kohë ishte nji notë e dhanun prej jezuitëve, të cilët nuk ishin dorëlirë, sikurse as edhe sot, por e jepshin vetëm kur nxanësi me të vërtetë e meritonte.
Prej asaj shkolle, prá, doli nji figurë madhore, figura fisnike morale e Luigj Gurakuqit, që do të shkëlqente në horizontin e Shqipnisë, nji herë e robnueme e mandej e pavarun, së cilës, me veprimtarinë e tij të dendun politike e shoqnore, do ti jepte kaq shumë.
«Ky ishte ambienti shkodran në të cilin Luigj Gurakuqi bani hapat e parë për formimin e vet intelektual. Krejt i dhanun mbas studimeve, me vemendje të theksueme e cenë, i bindi shumë shpejt e me lehtësí nxanësit e mësuesit se kishin të bâjshin me nji djalë me nji inteligjencë pa pikë dyshimi përtej normales» (Giuseppe Ferrari, «La figura di Luigi Gurakuqi». Në: Lomicidio politico di Luigi Gurakuqi. Bari 1988, f. 24.) Kështu arbreshi Zef Ferrari.
Veçantí të dallueshme të Luigj Gurakuqit janë: formimi i tij me kulturë perëndimore, si dhe përpjekjet për ta çue Shqipninë në hullinë e saj të natyrshme, drejt Europës, së cilës kjo i ka përkitë, i përket e ka me i përkitë gjithmonë. Për tê çdo përpjekje e atyne që synojshin, e fatkeqësisht me kambëngulje po synojnë endè sot, me e largue nga ky drejtim, ishte për dam të saj e kundra përkatësisë, kundra gjakut të vet europian.
Ketë të vërtetë e përforcojnë fjalët e Fan Nolit, të shprehuna në nji shpallje mjeshtrore me të cilën i përgjegjet sulmit të lig të Faik Konicës kundra Luigj Gurakuqit, çka ishte edhe mâ keq, mbas vrasjes së tij. Nji qëndrim të gjashëm në përkrahje të pastërtisë së figurës së Luigj Gurakuqit shpreh edhe Stavro Vinjau në dy numra të gazetës Dielli në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Thotë prá Noli: «Nga shqiptarët e pakë që thëthitnë mirë kulturën e Perëndimit, Gurakuqi ish ay që ka punuar më gjatë dhe më rëndë për të mbjellur farën e saj në Shqipëri»( Fan S. Noli, Vepra, 3. Publicistika (1925-1949). Tiranë 1987, f. 5).
Ashtu kishte veprue: kur qe Ministër Arsimi në të parën Qeverí; ashtu kur qe Drejtori i Drejtorisë së Arsimit; ashtu gjatë kohës së Luftës së Parë Botnore (1914-1918). Për vetë formimin që kishte, vijoi në ketë rrugë edhe në qeverisjen demokratike të 1924-s, dhe, si ministër i financave, bjen në aktiv bilancin e shtetit, që ishte me nji deficit prej milionash, tue lanë në arkët e tij nji tepricë prej nji milioni frangash ar, kurse atij vetë, kur qe vrá, iu gjetën vetëm 450 lireta në xhep, edhe këto të marruna uha pak ditë para prej nji miku të vet.
Qe modeli i ndershmënisë, jo vetëm për atë kohë, por e vështirë që ti gjindej shoqi edhe në kohët e mâvona. Si lypet e urojmë që njerëz të tillë të kemi sot për mëkambjen e Shqipnisë, mbas shkatrrimit të plotë prû prej diktaturës së egër komuniste, diktaturë kriminelësh e hajdutësh, shkaktarë endè sot të nji transicioni tejèt të zgjatun, në përpjekje që me i mbajtë sa mâ gjatë në duertë e tyne të përgjakuna fatet e Kombit.
Për Luigjin ishin të hueja konceptet e dallimit fetar e krahinor të Shqipnisë. Veproi, me gjallninë mâ të madhe, për me mbërrijtë që ti bashkojë rreth vetes katolikë e myslimanë, tue sjellë njikohësisht në mes tyne mirëbesimin. Të gjitha këto për të mirën e Atdheut.
Këtu, prap Noli, i cili Gurakuqin e ka «konsideruar si një nacionalist të grupit konstruktiv », thekson: « ay vetë ka qenë aq pak regjionalist sa, që kur lindi çështja kombëtare, ska patur një geg patriot aq të dashur midis toskëve sa Gurakuqi », dhe mâ tej « ka qenë gjithnjë anëtar i zgjidhjes së çdo problemi me pajtim e me kompromize, pa violencë, dhe arma e tij kryesore ka qenë fjala e ëmbël. Kjo ishte fryma dhe shpirita e Gurakuqit »( Ibidem, ff. 12-13.).
Për të gjitha këto vetí, të gjithë miqët e kundërshtarët e tij, mbasi anmiq nuk mund të cilësohen, sepse nuk kishte të tillë, e kanë nderue në çdo rasë. Ka qenë veteran i çështjes kombtare e për këtê i palodhun në krejt jetën e vet.
E patën paditë deri italofil, por këtu ishte gabimi e shpirtligësia e atyne që shpreheshin në ketë mënyrë. Këtê e bajshin tue u nisë prej qenies së tij katolik e tue supozue nji anim politik të tij kah Italia katolike gjâ që nuk ka ndodhë kurr, sikurse te asnjeni katolik. Për ketë përkatësí katolike kurrnji katolik, nasnji kohë, nuk ka mbajtë anën e Italisë ose të ndonji Shteti tjetër katolik, kur prekeshin interesat e Kombit e të Shtetit shqiptar.
Në marrëdhaniet me shtetet e hueja parim i tij ishte, në radhë të parë, vlerësimi e mprojtja e interesave kombtare. Kështu që nuk kishte parapëlqime në politikën ndaj vendet e hueja. Pat mbajtë kurdoherë nji qëndrim të premë kur kishte rrezik të prekeshin interesat e Atdheut, si e tregoi edhe me diskutimet në parlament për konçesionin e vojgurit. Provat për këtê janë të shumta. Këto shprehin atdhetarizmin e tij dhe janë shprehja mâ e ndritshme e nji figure që u bâ modeli mâ i shkëlqyeshëm për çdo shqiptar. Nami i tij i kapërcei kufijtë politikë të Vendit. U derdh në vendet e hueja tue i bindë burrat e politikës të atyne vendeve për vlerën e shqueme të tij në ketë lamë.
Se ka qenë themelues i Shtetit Shqiptar e vërteton pjesëmarrja e tij aktive në të gjitha veprat e veprimtaritë që synojshin ngritjen e forcimin e Shtetit të rí Shqiptar. Tue nisë nga shpallja e Pavarësisë, më 28 Nandor 1912, si figurë e pandashme prej Ismail Qemal Vlorës, «Luigji ka pasë qênë shoq i këtij të fundit e si dora e djathtë e tij, jo sekretar me rrogë».( Letër nga Ramleh (Aleksandrí) më 21.II.1952. Mustafa Kruja P. Paulin Margjokaj: Letërkëmbim (1947-1958). Shkodër 2006, f. 219.) Merr pjesë në anën e princit Wilhelm von Wied, ashtu si të gjithë atdhetarët, në mprojtje të shtetit të Shqipnisë. Ky shtet, natë kohë, përfaqësohej prej Wied-it, kur turmat fanatike turkomane elikjamase të Haxhi Qamilit zbatojshin qëllimin e tyne të mbrapshtë e antikombtar, tue ulë Flàmurin e kuq me shqipe të zezë, flàmurin e Gjergj Kastriotit-Skanderbeut, për me ngritë flàmurin turk me gjysmë hanë e hyll e tue zavendsue edhe gjuhën shqipe me gjuhën turke në administratën shtetnore. E këtê vijuen ta bâjshin edhe mbas vjetit 1914, shì në Shkodër, që, për hir të popullit të vet atdhetar, po i mpronte këto vlera të patjetërsueshme të identitetit të vet kombtar.
E në lagjen e Gj

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›