E Diel, 1 Nëntor 2026

Luitpold fiton për herë të katërt garën e qenve “dachshund” në Mynih

MYNIH, 19 tetor /ATSH-DPA/- Luitpold ka fituar për të katërtin vit radhazi çmimin e parë në kategorinë e qenve me peshë mbi 8 kilogramë, në garën e qenve “dachshund” (salçiçe) që zhvillohet në Mynih, njoftuan organizatorët.

Megjithëse ishte më i shpejtë se konkurrentët e tij, qeni nga periferia e Mynihut e përshkoi pistën prej 40 metrash më ngadalë se një vit më parë, duke regjistruar kohën prej 6,31 sekondash.

Sipas vlerësimeve të organizatorëve, aktiviteti i zhvilluar gjatë fundjavës në qendrën “Motorworld” të Mynihut tërhoqi rreth 30 000 vizitorë.

Gara u zhvillua në kuadër të aktivitetit “Dog World”, i cili përfshinte gjithashtu një panair dhe një program artistik në skenë.

Për garën ishin regjistruar 127 qen, tre më shumë se një vit më parë.

Shumë prej tyre kishin këmbë të shkurtra dhe emra të shkurtër, si Luna, Trudi dhe Frieda.

Por, në kategorinë më të lehtë, për qentë me peshë deri në 5 kilogramë, fitues ishte qeni me emrin më të gjatë: “Giulietta Beretta vom Rothsee aka Bazooka”, i cili e përfundoi garën për 6,14 sekonda.

Jo të gjithë qentë arrijnë vijën e finishit

Garat zhvillohen në disa kategori sipas peshës, në një pistë të gjerë 8 metra, ku tre qen garojnë njëkohësisht.

Pronarët i presin në vijën e finishit duke i nxitur, por jo të gjithë qentë e kuptojnë se duhet të vrapojnë.

Disa nuk arrijnë fare në finish, sepse preferojnë të luajnë. Të tjerë humbasin kohë të çmuar duke vrapuar anash ose në mënyrë të pjerrët, në vend që të ndjekin një vijë të drejtë.

“Ata nuk janë të detyruar të vrapojnë. Mund ta bëjnë këtë nëse duan”, tha organizatorja Désirée Rohrer.

Ndryshe nga garat e atletikës për njerëzit, pista nuk ka korsi të ndara. Kjo u jep qenve më shumë hapësirë dhe shmang ndjesinë sikur po vrapojnë në një tunel. Megjithatë, matja e kohës bëhet në mënyrë profesionale, me çipa të vendosur në trupin e qenve.

Gara në qytetin që dikur njihej për qentë “dachshund”

Rohrer e pati idenë për organizimin e garës në Mynih disa vite më parë, pasi kryeqyteti i Bavarisë dikur njihej si qytet me shumë pronarë të qenve “dachshund”.

Sipas traditës vendase, banori tipik i Mynihut, i njohur për karakterin e tij të sertë dhe humorin e keq, ka një qen të kësaj race.

Karikaturistja Franziska Bilek krijoi personazhin e vizatuar “Herr Hirnbeiߔ, një zotëri i moshuar dhe grindavec, së bashku me qenin e tij, për gazetën “Abendzeitung”.

Në garat e sotme, megjithatë, synimi është argëtimi dhe jo grindjet apo qortimet. //a.i/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›