Luiza Xhuvani është Bernarda Alba në Metropol
“Në fund të nëntorit do t’i japim publikut të kryeqytetit një tjetër kryevepër, ‘Shtëpia e Bernarda Albës’, me protagoniste aktoren Luiza Xhuvani dhe 7 vajza të reja që do t’i zgjedhim për këtë shfaqje në Metropol”- publikoi një pjesë të kalendarit për këtë sezon drejtori i Teatrit Metropol, Kiço Londo. Aktorja rikthehet në skenën e teatrit në rolin e Bernanda Albës pas suksesit të një viti më parë me një tjetër personazh po aq të fuqishëm, Elekrtën. “Tashmë Metropol është një teatër i madh për nga hapësira dhe që do të sigurojë deri në fund të vitit mundësi jo vetëm për aktorët e karrierës, por edhe për aktorët e rinj, përshi këtu dhe skenografë, regjisore etj., një teatër që, duke filluar që më 8 tetor, do t’i japë publikut kryeqytetas premierë një nga kryeveprat e Artistofanit”- shton drejtori Londo. “Shtëpia e Bernarda Albës” është vënë disa herë në skenën e teatrove shqiptare, por për herë të parë në rolin e protagonistes ngjitet aktorja Luiza Xhuvani.
Luiza nga Sofokliu te Lorka
“Jam pjesë e teatrit dhe nuk do ta lë teatrin. As nuk kam ikur, as nuk do të rikthehem. Jam pjesë e teatrit. Nuk mund ta tradhtoj vetveten. Të braktis teatrin, është si të braktis vetveten”- do të deklaronte aktorja Luiza Xhuvani një vit më parë, teksa kthehej pas një pazue të gjatë në skenë, në rolin e Elektrës. Kështu edhe pse politika është bërë tashmë pjesë e jetës së saj, ajo duket se s’ka për ta braktisur asnjëherë teatrin dhe këtë e tregon dhe angazhimi i fundit në Teatrin Metropol. Ashtu si një vit më parë, kur ajo u ngjit në skenë me një personazh të fuqishëm siç ishte Elektra, edhe në Metropol ajo do të jetë gruaja e zezë me fuqi të ftohtë e tronditëse. Pasi ka mbetur e ve për herë të dytë, Bernarda Alba vendos të mbajë një zi të rreptë, ajo dhe vajzat e saj. Por do ta vendosë këtë gjë me një tirani të egër. Por gjithçka komplikohet kur vajza e madhe tërheq një pretendent, Pepe Romano, i cili hedh në shtëpi farën e xhelozisë dhe pasionit. Vetë Gracia Lorka e kualifikoi veprës si drama e grave të fshatrave të Spanjës, tragjedi që shfaqet me një forcë të pakalueshme: një ambient i mbyllur, mbytës, zija e detyruar nga zonja dhe ndalimi për të dalë nga shtëpia përfundojnë në fatalitet. Për të gjitha këto, kjo vepër, në të cilën nuk duket as edhe një personazh mashkullor, nënkupton një qëndrim në favor të lirisë mbi të gjitha konvencionet shoqërore. Teatri i Lorkas është më personali, brilanti dhe popullori i shkruar në gjuhën spanjolle gjatë shekullit të kaluar; një teatër i mbushur me simbole dhe personazhe lirikë, por plot sens të thellë të forcës së natyrës dhe jetës. Karakteristika që mund të vlerësohen te ‘Shtëpia e Bernarda Albës’, e shkruar më 1936, pak ditë para se autori të arrestohej, dhe që është maja e veprës së vërtetë të Garcia Lorkës, me të cilën teatri i tij arrin kulmin. Ndërsa ‘Elektra’ në optikën e artit të Sofokliut del në përmasa të tjera, duke u bërë mishërim i rezistencës së një shpirti që nuk bën asnjë kompromis me atë që quhet krim dhe padrejtësi, cilido që të jetë shkaktari. Ajo është një përmendore dashurie vëlla-motër e që e merr gjithë shkëlqimin nga vetë Elektra.
Aida Tuci