E Diel, 1 Nëntor 2026

Peqin, zjarri shkrumbon 10 hektarë ullinj

PEQIN Një vatër zjarri ka shpërthyer dje rreth orës 17.00 midis fshatit Karinë dhe qytetit Peqin. Fillimisht flakët janë pikasur në kodrat e fshatit Karinë, por të ndihmuara nga era dhe bari i thatë janë drejtuar më pas drejt kodrave në perëndim të qytetit të Peqinit. Fillimisht në vendin e ngjarjes ka shkuar zjarrfikësja e Peqinit, por kur gjendja është përkeqësuar, është thirrur për ndihmë reparti i zjarrfikësve në Elbasan, i cili ka dërguar në vendngjarje një nga mjetet e veta. 30 minuta më vonë vatra ka qenë mjaft aktive dhe i është afruar ndjeshëm banesave dhe traversave të vijës hekurudhore. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca policie dhe banorë të zonës. Zjarrfikëset janë pozicionuar në lagjen perëndimore të qytetit, duke mos lejuar që zjarri t’i afrohet banesave, por e kanë patur të vështirë të ngjiten në kodër për shkak të terrenit të thyer kodrinor. Përpjekje të mëdha janë bërë për të shpëtuar edhe hekurudhën. Por zjarri ka dëmtuar mbi 10 hektarë ullishte, duke shkrumbuar qindra rrënjë ullinj. Në orët e vona të mbrëmjes zjarri është lokalizuar e megjithatë banorët po përpiqen për fikjen e plotë të tij. Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit. Pista kryesore mbetet ajo e shpërthimit të flakës nga pakujdesia, pasi zjarri ka ardhur nga kodrat e fshatit Karinë, ku dyshohet se ndonjë bari a kalimtar i rastësishëm ka hedhur ndonjë bisht cigareje. Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në një nga magazinat e mallrave të vjetra të kompanisë Albtelekom, mesditën e djeshme në Pukë. Në vendngjarje kanë mbërritur dy zjarrfikëse, të cilat po tentojnë të shuajnë zjarrin, ndërkohë që kanë mundur të shmangin rrezikun për zyrat e pallatit ngjitur.

Mësohet se era e fortë po ndihmon në përhapjen e shpejtë të flakëve, ndërkohë nga raportimet e para mësohet se nuk ka dëme në njerëz, por flitet vetëm për dëme materiale.

Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të zjarrvënies, ndërkohë që bën me dije se nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm.

F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›