E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luksemburgu bashkon katër piktorë shqiptarë

Një grup artistësh nga Kosova dhe Shqipëria që jetojnë në vendet e Beneluksit dhe Francë kanë hapur një ekspozitë të përbashkët në Luksemburg, për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë ekspozitë, përveç shumë artdashësve, ka marrë pjesë edhe kryetarja e Komunës së Esch Alzette të Luksemburgut, e cila ka vlerësuar lartë këtë ekspozetë.

Në këtë ekspozitë me disa piktura abstrakte është paraqitur piktori nga Mitrovica, Gzim Behrami, që jeton tash e 14 vjet në Luksemburg.

Pikturat e Behramit janë frymëzuar nga e kaluara e popullit shqiptar gjatë 100 viteve të fundit, në veçanti reflektojnë ngjarjet dramatike të viteve të 90-ta në Kosovë.

“Unë gjithmonë frymëzohem dhe jam frymëzuar nga rrëfimet e njerëzve, nga përjetimet e tyre, nga historia e individëve, të cilat janë vetëm disa copëza e historisë shqiptare. Unë jam shumë i nderuar që pikturat e mia e shohin dritën në 100 vjetorin e përpjekjeve tona për të ndërtuar një shtet shqiptar”, ka thënë Behrami.

Ai ka shtuar se pikturat e tij, nuk janë një refleksion nacionalist, por çdo ngjyrë paraqet një histori të vërtetë të bashkëkombësve të tij.

“Këto paraqesin jetën, në disa raste luftën për mbijetesë, por ka edhe momente të gëzueshme”, thekson Behrami.

Me piktura dhe skulptura janë paraqitur edhe artistët Hajdar Ademaj nga Kosova dhe Luljeta Meço e Bashkim Hazizaj nga Shqipëria.

Piktorët shqiptarë kanë falënderuar autoritetet e Luksemburgut për hapësirën që u kanë krijuar atyre dhe artit shqiptarë në këtë shtet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›