E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luksemburgu kritikon ashpër ligjin e ri për mediat në Hungari

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn, reagoi i indinjuar ndaj planeve të qeverisë hungareze për forcimin e kontrollit shtetëror ndaj mediave vendore.

Këto plane bien ndesh me shpirtin dhe përmbajtjen e marrëveshjeve të Bashkimit Europian, tha Asselborn për agjencinë e lajmeve Reuters, prandaj Komisioni Europian duhet menjëherë të veprojë kundër ligjit të mediave, të miratuar të martën në parlamentin hungarez.

Autoriteti i sapokrijuar, përveç mbikqyrjes së mediave shtetërore, në të ardhmen do të ketë kontrollin edhe mbi radiotelevizionet private, gazetat dhe portalet e internetit. Autoriteti i ri për media, mund të vendosë gjoba deri në 730 mijë euro, në rast se konsideron, se një raport nuk është i balancuar. Të martën Parlamenti i Hungarisë miratoi një ligj të ri kundërthënës, i cili ia shton kompetencat shtetit që të monitorojë dhe të gjobisë mediat private.
 

Masat, që kaluan me ndihmën e votave të partisë së qendrës së djathtë Fidesz, i japin fuqi autoritetit të ri të sapokrijuar, “Këshillit të Mediave” për të gjobitur mediat e shtypura ato elektronike dhe mediat në internet.
 

Gjobat do të praktikohen në rastet kur mbulimi i ngjarjeve nga mediat është i pabalancuar, kur cënohet dinjiteti njerëzor, kur përdoren fyerje ndaj vlerave të përbashkëta apo kur mediat dështojnë të mbulojnë ngjarjet që janë në interes të publikut. Ligji fuqizohet më 1 janar. Partitë opozitare e mediat e kanë kundërshtuar ligjin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›