E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Gjykata Supreme refuzon tetë ankesat për zgjedhjet

Gjykata Supreme e Kosovës, si instancë e fundit e ankimimit sipas Ligjit mbi zgjedhjet, ka refuzuar tetë ankesat që i janë drejtuar këtij institucioni për parregullsi zgjedhore.

Sipas mediave kosovare Gjykata Supreme nuk ka gjetur baza për të miratuar ankesat e subjekteve politike, përpos që është pranuar vetëm ankesa e Vetëvendosjes që ka të bëjë me mosfunksionimit e llambave ultravjollce në ditën e votimit në rajonin e Mitrovicës.

Është refuzuar edhe ankesa e AAK-së kundër KQZ-së, e bërë me motiv se kjo e fundit kishte shkelur Ligjin mbi zgjedhjet kur vendosi rivotim në Komunën e Deçanit.

Sipas AAK-së, KQZ-ja kishte tejkaluar kërkesat e PZAP-it dhe kishte vendosur në mënyrë arbitrare në kundërshtim me udhëzimet e këtij të fundit dhe me gjendjen faktike.

AAK-ja i kishte propozuar Gjykatës Supreme të Kosovës që të anulojë vendimin e KQZ-së dhe çështjen ta kthejë në procedurë të sërishme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›