E Diel, 1 Nëntor 2026

Luksi teknologjik dhe varfëria e informacionit në transmetimet radiofonike

Nga Arben Muka*

Kapërcimi nga sistemet analoge në ato dixhitale

25 vjet më parë, kur isha student e bashkëpunoja me Radio Tiranën, më kujtohet inventari personal që përdorja në përgatitjen e kronikave dhe intervistave. Magnetofoni tip UHER me bobina e shirit, vërtet ishte kaba në formë dhe i rëndë në peshë, por na dukej atëherë mjaft praktik e cilësor në regjistrimin e zërave.

Një dekadë më vonë, në vitin 1993, kur u ktheva në Radio Tirana, për të punuar si reporter profesionist në redaksinë e lajmeve, UHER-ët i kishin mbledhur në magazinë dhe në vend të tyre përdoreshin regjistruesit SONY me kaseta, disa herë më të lehtë në peshë dhe më të manovrueshëm në terren dhe në studio. Mikrofoni, kufjet dhe aksesorët e tjerë ndihmonin për incizime cilësore në çdo rrethanë. Por ja që jeta e këtyre aparateve nuk zgjati shumë. Tregun e sulmuan minidisqet profesionale, regjistrues në madhësi gati sa një paketë cigaresh, të cilët ofronin disa herë më shumë opsione për të incizuar në mënyrë perfekt zëra dhe efekte, si dhe mund të realizoje paraeditimin e materialit, përpara se të mbërrije në redaksi.

Nga viti 2006 edhe minidisqet kanë nisur të duken si “jashtë mode”, pasi radioreporterët po afeksionohen gjithnjë e më shumë nga regjistruesit me hard disk, si fjala më e fundit e teknologjisë digjitale.

Transformimi i vrullshëm i mjeteve personale të gazetarëve është vetëm një detaj i dukshëm i revolucionit teknologjik tërësor që ka ndodhur në stacionet radiofonike. Ky trend modernizues ka përfshirë hap pas hapi dhe studiot e regjistrimit, set-et e miksimit, mundësitë e lidhjeve me terrenin dhe mbulimet komode të ngjarjeve të drejtpërdrejta, programimin në kompjutera të një hapësirë të madhe kohore për transmetim pa prezencën e gazetarëve dhe teknikëve, proceset e editimit, arkivimit të kontributeve etj. Avancimi teknik ka përbërë në të njëjtën kohë dhe një kërcënim të hapur për masën e burimeve njerëzore që do të vazhdonin të angazhoheshin në studio dhe jashtë saj, me kohë të plotë a me kohë të pjesshme.

Qysh në mes të shekullit të kaluar kur nisën të ndjehen efektet e para të transformimit teknologjik në stacionet radiofonike, kalimi nga sistemet analoge në ato digjitale, studiuesit e audiogazetarisë filluan të paralajmërojnë rrudhosjen e stafeve gazetareske, por dhe dilemën për të vendosur “nëse do të vazhdojnë të mbulojnë dhe të prodhojnë lajme, apo thjesht “t’i procesojnë” - duke riprodhuar lajme dhe duke ripërpunuar informacione që vijnë nga burime të jashtme” (1).

Përdorimi i më pak formateve të informimit

Në anën tjetër duhet pohuar se elementit të përmbajtjes programore në vitet e fundit nuk i “ka ndritur fati” ashtu si dhe teknikës. Skaleta ditore dhe javore e radiove shqiptare ka ardhur duke u thjeshtuar në tematikë dhe laryshinë e zërave, duke iu drejtuar më shumë spontanitetit dhe organizimit të transmetimeve “mbushëse”, që zëvendësojnë emisionet atraktive, të cilat për një arsye ose një tjetër nuk mund t’i ofrohen më dëgjuesit. Janë të pakta radiot në Shqipëri që planifikojnë dhe ndërtojnë emisione të qëndrueshme, që rinovojnë programet me rubrika të reja, që mbajnë një balancë optimale mes informacionit e muzikës, mes të folurit dhe tingujve. Të tilla janë Radio Tirana, Top Albania Radio, Radio +2, Radio NRG, Club FM, Radio Ime, Radio Kontakt, Radio Klea, ashtu siç përpiqen ta bëjnë një gjë të tillë katër stacionet publike lokale në Korçë, Shkodër, Gjirokastër e Kukës, stacionet me profil fetar si Radio 7, Radio Ngjallja, Radio Maria, Radio Logos e ndonjë tjetër.

Reduktimi i stafeve e shoqëruar me rrudhosjen programore ka cenuar më shumë edicionet informative, flash-et ose emisionet e lajmeve kryesore. Nga formatet e informacionit në radio mbeten ende si më të përdorshmet lajmet dhe kronikat. Më rrallë dëgjohen intervista, deklarata dhe vox-pop-e me opinionet e qytetarëve. Në një kohë që realizimi i reportazheve, shkrimi i komenteve, organizimi i audioforumeve (tryezave të rrumbullakëta në studio) janë kthyer thuajse në një “mollë e ndaluar”. Përdorimi i formateve të larmishme të informimit kërkon dubël dhunti nga ata që afrohen nëpër redaksitë e radiove.

“Gazetari radiofonik duhet të dijë të prodhojë informacion në mënyrë sa më të plotë, jo vetëm ta shkruajë, por edhe të jetë i aftë të zotërojë aftësitë teknike, të cilat në ditët tona mund të jenë shpesh aftësi informatike” (2).

Faktorët pro dhe kundër gjallërimit në tregun radiofonik

Në Shqipëri aktualisht janë në transmetim 47 radiostacione me licencë kombëtare e lokale, me status publik e privat (3). Ky numër përbën rreth gjysmën e të gjitha stacioneve që janë themeluar brenda territorit të vendit, qysh nga fillimi i emetimeve radiofonike, 70 vjet më parë. Duke marrë në konsideratë periudhën e mesit të viteve ‘90 kur në Shqipëri nisi periudha e radiove private (e para është Radio Vlora më 17 nëntor 1994), u duk se moda e përhapjes së audiogazetarisë në pjesën më të madhe u bë për hobi të themeluesve, pa një ide të qartë për target-in, pa dije të qëndrueshme dhe eksperiencë për menaxhimin stacionit dhe për ndërtimin e redaksisë.

Këto elementë ishin të padukshëm dhe thuajse të pandjeshëm në ato fillime euforike, pasi favorizoheshin nga disa faktorë të pashmangshëm, si uria e publikut për transmetime alternative, radio mbushi boshllëqet e medies së shkruar, (për hir të mungesës së infrastrukturës gazetat dhe revistat shpërndaheshin vetëm në qendrat urbane), nuk kishte ligj që rregullonte licencimin dhe akordimin e frekuencës, kishte kuriozitet në radhët gazetarëve të shtypit për të provuar protagonizmin në mikrofon, nisja e aktivitetit të radios kërkonte një investim financiar fillestar modest, as që bëhej fjalë për të drejtën e autorit në shfrytëzimin e fondit muzikor vendas e të huaj etj.

Pas boom-it të funddekadës së kaluar (vetëm në harkun kohor të dy viteve 1997 dhe 1998 në Shqipëri u hapën 30 radio të reja private) disa prej faktorëve të mësipërm e humbën efektin nxitës dhe lehtësues për pronarët dhe stafet. Kushtet e tregut kishin ndryshuar, në horizont po shfaqeshin rregulla loje. U miratua për herë të parë një ligj i posaçëm për aktivitetin e radiove dhe televizioneve publike e private në Republikën e Shqipërisë dhe u ngrit nga parlamenti Këshilli Kombëtar i Radiove dhe Televizioneve, KKRT, si institucioni i vetëm që do kontrollonte dhe rregullonte tregun e medieve elektronike, pra, nisi të bëhej ajo që as mendohej më parë, licencimi për çdo stacion.

Një shkak kryesor për rënien e vrullit në bandën e FM-ve, ishte forcimi pas vitit 1999 i rolit të “armikut” të radios. Televizionet private tërhoqën në mënyrë të jashtëzakonshme vëmendjen e publikut, si dhe zbrazën studiot e radios nga gazetarët më të mirë, të cilët u joshën nga ofertat e të bërit gazetari dhe me figurë. Ishte koha kur audiohobistët u gjendën para një fakti të kryer, një konkurrence të ashpër, para një pakete ligjore që i vinte në detyrime për performancën e tyre dhe pagesën e tarifave fikse dhe atyre në bazë të rrezes së dëgjueshmërisë. Nisja e aktivitetit pa një ide të qartë dhe keqmenaxhimi i burimeve pati për pasojë tërheqjen nga transmetimet të disa radiostacioneve, më shumë në zonat e vogla urbane.

Arsye tjetër e dobësimit të tregut radiofonik ishte dhe realizimi i idesë së disa pronarëve për të zgjeruar aktivitetin duke hapur krahas radios dhe sinjalin televiziv. Kjo ishte si një asfiksi për radiot, pasi ekrani mori pjesën e luanit në buxhet, mori krahun e punës më të kualifikuar, pra sinjalet televizive thithën të gjitha energjitë duke i shndërruar studiot e radiove si shtojca që punonin si për inerci, duke i çuar drejt vetëmbylljes, ose mbajtjes sa për numër. Këtë fat patën Radio Klan, Radio Koha, Radio Nesër, Radio Antena Jug, Radio Amantia, Radio Gramshi, Radio Magic Star, Radio RASH etj. Projekti televiziv zvogëloi dhe rolin e radiove publike lokale Radio Korça, Radio Shkodra e Radio Gjirokastra (në një kohë që mungesa e investimeve për hapjen e sinjalit televiziv në ambientet e Radio Kukësit e ka shpëtuar të paktën deri më tani stacionin gati gjysmëshekullor në verilindje të vendit).

Mbrojtja e identitetit të radiostacionit

Duke vizituar ambientet e një radio private në Tiranë, studentëve të vitit të dytë të gazetarisë në U.F.O University iu bëri shumë përshtypje fakti që në tryezën e studios gjatë transmetimit të edicionit të lajmeve flash ishin faqet e një gazete kryesore, mbi të cilën kishte mjaft shënime të moderatorit që ishte para mikrofonit.

Përmbajtja e buletinit ishte marrë tërësisht nga lënda e gazetës, kuptohet në variantin e tyre më të shkurtuar. Gjatë diskutimit të lirë që u zhvillua më pas nga mikpritësit në radio u përmendën si argumente justifikuese për metodën e referimit nga shtypi i ditës në ndërtimin e buletinit të lajmeve: vështirësitë financiare që po kalonte radio, shkurtimet në personel dhe tentativat për të mbijetuar me skemën jo të shtrenjtë - muzikë e pak lajme - deri sa “të rigjallërohen financat” e pronarëve të radios etj.

Paul Chantler dhe Peter Stewart në librin e tyre “Bazat e Gazetarisë së Radios”, duke analizuar situatën e shkurtimit të detyruar të shpenzimeve në rastet kur ka përkeqësim të performancës financiare të një stacioni radiofonik nënvizojnë se shqetësimi parësor duhet të jetë mbajtja e produktit të dhomës së lajmeve në mënyrë të paprekur. “Qëllimi juaj duhet të jetë shikimi përtej krizës, krijimi i një lloj “ndjesie kozmetike” në transmetim, sikur gjithçka ecën normalisht. Kjo do të thotë që edicionet e lajmeve të mbeten të pandryshuara sa më shumë të jetë e mundur” (4).

Për fat të keq në radiot shqiptare sapo shikohen shenjat e para të vështirësive ekonomike e financiare “sëpata” bie mbi minutazhin informativ. Kjo mbetet tipike në radiot lokale, ku mungesa e burimeve të të ardhurave nga reklamat dhe shërbimet ndaj të tretëve e mbajnë buxhetin gjithnjë me minus, ose në rastin më fatlum me balancë të sforcuar të shpenzimeve dhe të ardhurave. Nëse i bëjmë “delete” nga skaleta programore ditore dhe javore rubrikave informative kemi cenuar njërin prej aspekteve më të qenësishme të radiostacionit, kemi reduktuar meny-në bazë që e ngacmon dëgjuesin të jetë periodikisht i sintonizuar në valën tonë.

“Në një treg konkurues në rritje, lajmi është një nga ato pak gjëra që e bën stacionin radiofonik lokal të jetë lehtësisht i identifikueshëm, të tingëllojë karakteristik dhe i afërt me dëgjuesin”(5). Në këtë linjë ecën me argumentin e tij dhe Andrew Crisell kur shkruan se “radio nuk mund të konkurrojë me mediet e tjera, në rast se nuk mund të jetë në gjendje të ofrojë audiencës diçka të veçantë, diçka që do ta bënte komplementare, ndërkohë që të vazhdonim të shikonim që shpejtësia dhe shpeshtësia të jenë pikat më të forta” (6).

“Muzifikimi” për të mbijetuar

Pronarët dhe drejtuesit e stacioneve e shikojnë mbijetesën në treg nëpërmjet përdorimit muzikor. A mund të jetë një frekuencë lokale atraktive për dëgjuesit vetëm nga përdorimi i këngëve dhe melodive? Pas pyetjes vijnë vetiu disa argumente që e bëjnë përgjigjen negative: konkurrenca e ashpër nga stacionet e mëdha, të cilat kanë fonde për arkiv e pasurim sistematik me blerje muzikore nga më të fundit, repertori i kufizuar e krijimtarisë autoktone lokale a rajonale, pamundësia për produksion në ambientet e radiove, antipirateria në krijimtarinë muzikore dhe forcimi i mekanizmave për shfrytëzimin e të drejtës së autorit etj. Transmetimet e tyre tingëllojnë të pangjyra tek dëgjuesi, audienca hyn në valët e tyre në mënyrë spontane, pa dalluar se ku është fiksuar, pa memorizuar rikthimin herë tjetër duke e shndërruar stacionin në përmbajtjen e një CD-je mikse.

Këtu bëjnë përjashtim radiot e profilizuara muzikore, të cilat janë ideuar dhe kanë filluar nga aktiviteti si të tilla, psh., Radio Top Gold, Radio Euro Star, Boom Boom Radio, Super Star Radio, My Music, Alba Karta DJ Radio, AMC Love Radio, etj., të cilat e ndërtojnë formatin e tyre 24 orësh me në funksion të strategjisë së tyre, duke iu drejtuar të apasionuarve pas rrymave dhe tendencave të ndryshme të muzikës, por dhe duke e grupuar inventarin muzikor në emisione e rubrika ku nuk mungon dhe spërkatja me informacion e kuriozitete për yjet e skenës, cv për krijuesit notave dhe të teksteve, instrumentistët, kalendari i evenimenteve më të zgjedhura, intervista me protagonistë dhe njohës të muzikës, kuice dhe radiogara me shpërblime për dëgjuesit fitues, si dhe promocion për prodhimet shtëpive diskografike. Çdo imitim i këtyre formateve muzikore, e diktuar nga vështirësitë financiare, keqmenaxhimi dhe mungesa e ersonelit të kualifikuar në redaksi, është humbje identiteti dhe largim i audiencës, e ngjashme me ekzistencën e stacionit vetëm “në letra”. Eshtë gati e pamundur që pas “muzifikimit” të programit të arrish t’u mbushësh mendjen sipërmarrësve, biznesmenëve, apo drejtuesve të institucioneve publike e private se një reklamë, apo një njoftim do të bëjë efekt kur emetohet në një radio të tillë.

Ashtu siç është gati e pamundur që një pronar a menaxher të ndjehet rehat në një radio pa asnjë sekondë hapësirë promocionale.

Importi i gatshëm informativ

Disa prej radiove të cilat ndjehen të pafuqishme për të prodhuar brenda studios së tyre lajme dhe informacione aktualiteti, por që nga ana tjetër e kuptojnë rëndësinë e prezencës së tyre, kanë gjetur një zgjidhje shumë ekonomike. Në bazë të marrëveshjeve të partneritetit të nënshkruara me disa nga stacionet më të njohura të huaja, të cilat kanë programe edhe në versionin shqip, ato bëjnë të tyret një pjesë të lëndës informative duke e transmetuar atë direkt ose të regjistruar. Në frekuencat e radiove lokale shqiptare dëgjohen buletinet dhe programet informative në gjuhën shqipe të radiove prestigjioze si Deutsche Welle, Zëri i Amerikës, BBC, Radio Free Europe, Radio France International etj. Radiot, të cilat kanë bërë këtë zgjidhje, me import të gatshëm dhe pa kosto janë psh., Radio Fieri, Radio Val’ e Kaltër, Radio ABC, Radio Ime, Radio Klea, Radio Saranda, Radio X, katër radiot lokale me status publik në Korçë, Shkodër, Gjirokastër e Kukës etj. Është shfrytëzuar në këtë mes strategjia e stacioneve të huaja për të zgjeruar audiencën e tyre në Shqipëri nga ritransmetimi nëpërmjet sinjaleve lokale. Këto stacione kanë ofruar vitet e fundit dhe lehtësi të tjera për shtimin e eksporteve të tyre në drejtim të tregut shqiptar.

Webmaster-at e e faqeve të internetit kanë ndërtuar rubrika të veçanta me materialet e tyre më të mira, me blloqe informative që lehtësisht mund të shkarkohen duke qënë të gatshme për transmetim e ritransmetim sipas nevojave.

Partneriteti me radiot e huaja duket si një zgjidhje provizore, që gjithsesi nuk jep garanci se dëgjuesi ndjehet i plotësuar me informacionin që atij i intereson më shumë, ato që kanë ndodhur ose do të ndodhin brenda, ose afër komunitetit ku ai është pjesë. Informimi për tema globale dhe me rreze të gjerë, sado i përpiktë dhe profesional të prezantohet nuk mund të zëvendësojë trajtimet informative nga realiteti lokal. Nuk mund të zëvendësojë disa prej veçorive të këtij informimi, të cilat “janë më pranë problematikës së komunitetit, efekti i informacionit është më i drejtpërdrejtë dhe vlerësimi/reagimi i dëgjuesit vjen më kollaj në redaksi” (7).

Pak shfrytëzohen audioshërbimet në internet

Radio e sotme përballet dhe me dukurinë e “on line”-zimit tërësor mediatik, kur po luhet gjithnjë e më fortë me përmbajtjet e web site-ve. Është evidente se vetëm pak prej tyre kanë faqe aktive dhe funksionale në internet, si Top Albania Radio, Radio +2, Club FM, Radio NRG, Radio Alsion e ndonjë tjetër. Me pak shpenzime ndërtimi i faqes on line ofron shumë shërbime për klikuesin, por dhe duke e bërë këtë të fundit më interaktiv me programin e radios: s’është e thënë që ta dëgjojë një kontribut apo pjesë të selektuar deri në fund. Me kursor ndjekësi on line mund të kapërcejë apo prapësohet deri tek fragmenti që ka interes. Ai është më i predispozuar për të shprehur vlerësime, kritika a sugjerime të atypëratyshme, duke shkruar radhë teksti në dritaret e komunikimit me autorët e produktit, a me stafin. Me sigurinë se mesazhin e tij atje tej në rrjet, dikujt i shfaqet në ekran brenda disa sekondave.

Me shërbimin on line gazetari ose redaktori e merr më shpejt dhe më drejtpërdrejt reagimin e dëgjuesit. Kjo është një lehtësi e dukshme po të kemi parasysh komunikimin me radiostacionet që kanë vetëm transmetime valore (me telefonata, fakse, apo letra në adresë të redaktorit). Faqja e internetit i humb radios një nga specifikat që ajo ka në raport me medien e shkruar, atë të “thënies një herë të gjërave”. E bën radion t’i afrohet mënyrës së sjelljes me lënie gjurme, që t’iu kthehesh prapë përmbajtjeve dhe emocioneve të kontributeve të veçanta. Në këtë mënyrë arkivi audio nuk është vetëm pronë që mbahet dhe menaxhohet me kujdes në selinë e radios. Me shërbimin on line ky arkiv hapet, në një hapësirë të pamasë, ka gjithmonë dritën jeshile për t’iu servirë dëgjuesit, që ta qëmtojë dhe shijojë në çdo grimë të kohës.

Edhe ligji stimulon informacionin

Heqja dorë nga produkti informativ në stacionet e radiove, për shkaqe objektive a subjektive zbeh rolin e tyre tek audienca. Një fenomen që është marrë në konsiderate dhe nga hartuesit e ligjit ende në fuqi “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, qysh në shtatorin e vitit 1998. Në një nen të veçantë parashikohet “shtrëngimi” për të gjithë aplikuesit për licencë pranë Këshillit Kombëtar të Radiove dhe Televizioneve: “Për marrjen e licencës me shtrirje lokale duhet që të paktën 15 për qind e programeve javore të përmbajnë informacion dhe programe që lidhen me realitetin lokal, por që nuk kanë karakter tregtar” (8). Një nen që harrohet ose neglizhohet nga ana e pronarëve e menaxherëve të radiove pasi kanë marrë frekuencën dhe siguruar të drejtën e transmetimit.

* Korrespondent në Shqipëri i Radios gjermane Deutsche Welle, pedagog në Universitetin U.F.O në Tiranë

Referencat:

(1) Roger Fidler, “Mediamorfoza”, (fq. 261), botim i Institutit Shqiptar të Medias, 2001.

(2)Alessandra Scaglioni -“Të punosh në radio”, (fq. 104), botim i Institutit Shqiptar të Medias, 2001.

(3) Për më tepër informacion mbi historikun e radiove shqiptare, profilin e çdo stacioni, protagonistët e tyre, emisionet dhe rubrikat më të pëlqyera për dëgjuesit mund të lexoni në librin “70 radio shqip në 70 vite (1938 – 2008)”, botim i Qendrës së Medias ABC, 2008.

(4) Paul Chantler & Peter Stewart -“Basic Radio Journalism”, (fq. 192), botim i Focal Press, 2003.

(5) Paul Chantler & Sin Harris- “Local Radio Journalism”, (fq.5), botim i Focal Press, 1997.

(6)“Making the local news. Local journalism in context”, (fq. 32), përmbledhje artikujsh e redaktuar nga Bob Franklin dhe David Murphy, botim i Routledge, 1998.

(7) “Gazetar në Radio”, botim i Institutit Shqiptar të Medias, 2007.

(8) Fletore zyrtare 24/1998 - Ligji nr. 8410, datë 30 shtator 1998, “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›